Rikthim për nostalgjikët e kinemasë
Perla të kinematografisë botërore, 45 të tilla, kanë nisur të shfaqen në vijim të aktivitetit “Nostalgjia e kinemasë”, që do të organizohet përgjatë 15 ditëve në sallat e kinemasë “Imperial” pranë qendrës “Kristal”. Tituj të njohur filmash, të cilët kanë bërë për vete gjenerata të tëra, do të rikthehen edhe një herë në vëmendjen e nostalgjikëve për të kujtuar kohët kur këta ishin dritarja e botës tjetër. Për këta breza, por edhe për më të rinj, kjo iniciativë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, e cila ka nisur dje paradite dhe do të vazhdojë deri më 18 qershor, ka nxjerrë nga fondi filmik 45 tituj filmash, prodhime të kinematografisë botërore, ndër më të ndjekurit përgjatë viteve të sistemit komunist në vend. Janë filma që kanë qarkulluar nëpër ekranet e kinemave tona në vitet ’70-’80, të lejuar dhe të pacensuruar nga sistemi i atëhershëm. Për këtë arsye aktiviteti quhet “Nostalgjia e kinemasë”, sepse synon të rizgjojë te publiku emocionet e dikurshme që u kanë dhënë këto filma, por edhe t’ua paraqesë më të rinjve, të cilët i njohin si tituj, por nuk kanë pasur më rast t’i ndjekin në kinema. Kjo është një mënyrë e mirë për të tërhequr drejt magjisë së kinemasë të dy brezat. Do të shfaqen filma si “Fanfan Tulipan”, një prodhim francez i vitit 1952 me regji të Christian Jaque. Nën interpretimin e aktorëve Gina Lolobrigida dhe Gerard Philipe “Fanfan Tulipan” sjell historinë e një djaloshi të ri, i cili për t’ia mbathur nga një martesë me mblesëri shkon ushtar në ushtrinë e Luigi XV, sipas këshillës së Adelinës, vajzës së një marshalli, e cila e veshur si cigane, i parashikon një të ardhme të lavdishme. Gjatë udhëtimit për të shkuar në ushtri, Fanfan përballet me një grup banditësh që kanë sulmuar karrocën mbretërore. I vetëm djaloshi arrin t’i mundë duke shpëtuar Madame de Pompadour dhe princeshën Henriette, vajzën e mbretit. Vazhdojnë kështu një seri peripecish që e shtyjnë pas linjave armike, duke e mundur thuajse i vetëm të gjithë shtetin armik. Profecia plotësohet dhe Fanfan mund të kurorëzojë kështu dashurinë me Adelinën. Pjesë e kësaj serie filmash është edhe
“Zonja ime e mrekullueshme”, një realizim i vitit 1964, drejtuar nga regjisori George Cukor, nën interpretimin e Audrey Hepburn. Filmi sjell historinë e profesor Higgins, i cili vë bast me mikun e tij Pickering se do të arrinte të transformonte lulishtaren e varfër Eliza Doolittle në një damë klasi brenda gjashtë muajsh. Pas disa tentativash, por edhe dështimesh, më në fund Eliza vlerësohet për mënyrat dhe elegancën e saj nga shoqëria e lartë londineze. Me të përfunduar eksperimenti, lulishtarja duhet t’i kthehet edhe një herë klasës sociale së cilës i përket, por ndryshimet e ndodhura dhe dashuria që ndien ndaj profesorit, bëjnë që vajza të qëndrojë në shtëpinë e tij. Por ky i fundit e refuzon dhe ajo largohet. Vetëm me largimin e saj, profesori kupton se sa e rëndësishme është ajo për të. Pas një periudhe të shkurtër ndarjeje ata më në fund jetojnë së bashku. Veç këtij filmi të kinematografisë amerikane, nuk do të mungojnë edhe filmat që i përkasin kinematografisë italiane. I tillë është “Gruaja më e bukur”, i cili na sjell edhe një herë në kujtesë interpretimin e aktores së re në atë kohë, bukuroshes Ornella Muti. Nën regjinë e Damiano Damianit, filmi sjell historinë e Don Antonino Stella, kreut të mafies në një qytezë siciliane, i cili vendos të arrestohet nga karabinierët, i sigurt se do të lirohet pas procesit. Vendin e tij e zë Vito Juvara, i parapëlqyeri i tij. Vito ka rënë në dashuri me bukuroshen 16-vjeçare Francesca Cimarosa, vajza e një të varfri. Ai vendos të fejohet me të, por vajza, nën një pamje të ëmbël dhe të ndrojtur fsheh një temperament krenar. Me të kuptuar se Vitoja e konsideron vetëm si një objekt, ajo e prish fejesën. Ky veprim lëndon krenarinë e Vitos, i cili me ndihmën e tre djemve të tjerë e përdhunon Francesca-n, i sigurt se pas kësaj vajza do të dojë të martohet me të. Por Francesca e denoncon Viton... E këta janë vetëm tre filma përfaqësues të të përzgjedhurve të Arkivit Qendror të Filmit. Do të vijojnë për publikun edhe filma si “Oskeola”, “Minuta e fundit”, “Shën Mëria e Parisit”, “Hakmarrja e Ivanhoes”, “Lakuriq në mes të ujqërve”, “100 ditë në Palermo”, “Shamikuqja”, “Kur Meksika këndon”, “E zonja e bujtinës”, “Shpata dhe trëndafil”, “Don Zhuani”, “Vagabondi”, “Legjenda e Fra Diavolos”, “Helena e Trojës”, “Zonja e panjohur”, “Korrupsion në pallatin e drejtësisë”, “Semiramida e Babilonisë”, “Cili jeni ju zoti Sorge?”, “Në moshën e dashurisë”, “Treni i Ferrit” etj. Shpërndarja e filmave do të jetë: 3 tituj në ditë me nga 2 herë shfaqje, paradite dhe pasdite.
#