Banka Botërore, 1 miliard dollarë për të përmbytjet

- Kryeministri: Kompanitë celulare dhe bankat të ulin tarifat e shërbimit- jo oligarkisë në treg
- BB: Qeveria shqiptare përballoi me sukses krizën ekonomike- zhvillimi ekonomik me rritje 6.8%
Berisha i prezanton Bankës Botërore vizionin e qeverisë për “Shqipërinë e Zhvilluar”
“Kemi trajtuar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe sidomos zhvillimin e infrastrukturës ku Banka Botërore ka një rol dhe kontribut shumë të madh, në të gjithë vendin”. Kështu ka pohuar kryeministri Berisha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me drejtoreshën e Lartë të Bankës Botërore, Ngozi Okonjo-Iueala, pas një takimi bilateral që zhvilluan së bashku paraditen e sotme. “ “Ne diskutuam gjerësisht mbi përparësitë e bashkëpunimit tonë në të ardhmen dhe kam kënaqësinë dhe ta falenderoj drejtoreshën e lartë për mirëkuptimin e saj dhe të BB-së për këto përparësi të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Ne ramë dakord të bashkëpunojmë ngushtë me BB-në për përmbytjet”- vuri në dukje kryeministri. Gjithashtu Berisha theksoi se së bashku me drejtoreshën e lartë të BB-së ka trajtuar edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, si në ndërtimin e infrastrukturës dhe në bujqësi duke theksuar se e ka njohur përfaqësuesen e BB-së edhe me vizionin e qeverisë për zhvillimin e këtij sektori si një kusht për ta kthyer Shqipërinë në një vend të zhvilluar."Por ne biseduam edhe për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë. E njoha drejtoreshën e Bankës Botërore me vizionin e qeverisë për zhvillimin e këtij sektori, si një vend i zhvilluar. Në këtë kontekst, prioritet do mbetet zhvillimi i një sistemi modern ujitje, rritje së pemëtarisë etj, si një përpjekje e madhe për shndërrimin e vendit në një prodhues të madh frutash”, shtoi Berisha. Duke pohuar se i tha drejtoreshës së Lartë të Bankës Botërore, që për Shqipërinë paraqet rëndësi zhvillimi makro-ekonomik dhe që borxhi të mbahet nën kontroll, me synimin që defiçiti buxhetor të mbahet në nivelin prej 3.5 përqind. “Kishim diskutime edhe me situatën makro-ekonomike, garantova drejtoreshën që për qeverinë rëndësi e madhe ka pasur ruajtja e stabilitetit makro- ekonomik, dhe deficiti buxhetor të jetë 3.5 përqind për vitin e ardhshëm”- theksoi Berisha. Sipas Berishës, pala shqiptare është e interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore. Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore, Ngozi Okonjo-Iueala, ndodhet për një vizitë 3-ditore në Shqipëri, për herë të parë. Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë të theksojë rëndësinë e "Axhendës së re të rritjes" për Shqipërinë dhe të shprehë mbështetjen që Banka i jep qeverisë bazuar në Strategjinë e Partneritetit për Vendin. Gjithashtu, ajo do të shprehë solidaritetin e Bankës me të dëmtuarit nga përmbytjet e fundit masive në zonën e Shkodrës si dhe do të diskutojë mbi mbështetjen e mundshme për zbutjen e rreziqeve në të ardhmen.
Kriza Ekonomike
Banka Botërore vlerëson si të suksesshme politikat ekonomike të qeverisë në përballimin eficent të krizës ekonomike. Shqipëria arriti që ta përballojë shumë mirë krizën ekonomike, duke shënuar një rritje ndërsa shumë vende u prekën prej saj, ishte konstatimi i bërë vetë nga drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore, Ngozi Okonjo-Iueala, pas një takimi bilateral me kryeministrin Sali Berisha. Sipas saj, është fakt se zhvillimi i Shqipërisë ka qenë me rritje prej 6% nga viti 1998 në vitin 2008 dhe ky ritëm zhvillimi kjo e rendit ndër vendet kryesore të Evropës Lindore. Ndërsa në lidhje me përmbytjet në veri të vendit, ajo tha se Banka Botërore është e angazhuar për të ndihmuar planifikimin pas fatkeqësisë. Konkretisht, ajo përmendi fondin prej 1 miliard dollarë të cilin ky institucion financiar ka parashikuar që t’ia vërë në dispozicion zonës së përmbytur në veri të vendit. Ajo tha se zhvillimi ekonomik i vendeve evropiane gjatë viteve të ardhshme do të jetë me nivele të ulëta, e prandaj edhe ndihma parashikohet të jetë më e pakët. Duke i lënë porosi palës shqiptare që të ndjekë me rigoriozitet dhe kujdes planin e masave fiskale.
BB këshillon qeverinë të përdorë politika të kujdesshme fiskale
Drejtoresha e lartë e Bankës Botërore Okonjo Iëeala e këshilloi qeverinë shqiptarë të përdorë politika të kujdesshme fiskale për të garantuar qëndrueshmëri të ekonomisë në vend. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha drejtoresha e lartë e BB-së theksoi se Shqipëria duhet t’i përmbahet kuadrit të borxhit publik dhe të mundohet ta ulë atë borxh ose ta ruajë atë në nivelin 60 përqind. “Shqipëria duke qënë një vend me të ardhura të mesme, qeveria shqiptare duhet të ketë kujdes nga vendet që kanë fuqi blerëse, si ato vende të cilat prodhojnë të njëjta produkte por me një çmim më të ultët dhe ato që prodhojnë produkte më komplekse, por me një teknologji më moderne theksoi Iëeala. Gjithashtu Iëela ka përgëzuar Shqipërinë për përballjen me sukses ndaj krizës ekonomike globale duke theksuar se BB-ja do të vijojë bashkëpunimin ne qeverinë shqiptare në të gjitha fushat. Nga ana e tij Kryeministri Berisha theksoi se i ka shprehur përfaqësueses së BB-së mirënjohjen për bashkëpunimin e frytshëm për 20 vite me këtë institucion dhe për projektet që arrijnë shifrën 1.5 miliardë dollarë.
Kryeministri: Kompanitë celulare dhe bankat të ulin tarifat e shërbimit- jo oligarkisë në treg
Qeveria vendos të ndërhyjë në sistemin fiskal në disa prej sektorëve kyç të ekonomisë; si ai bankar dhe telekomunikacioneve. Kryeministri Berisha tha se kjo ndërhyrje është e nevojshme për shkak të tarifave tepër të larta që ofrohen për shqiptaret nga këto sektorë. Ai nënvizoi faktin se këto shërbime janë më të shtrenjtat në rajon e më gjerë. Në deklaratën e bërë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Drejtoreshën e Menaxhimit të Bankës Botërore Ogozi Okonja Luala, Kryeministri tha se qeveria nuk do të lejojë oligarkinë në treg. E kjo ndërhyrje vjen në një kohe kur Enti Rregullator i Telekomunikacioneve u ka kërkuar kompanive celulare që brenda 2011-ës të ulin me 15% tarifat për shërbimin që ofrojnë, me argumentin se është më i larti në rajon. Ndërsa brenda 2013-ës ulja e tarifave të shkojë në masën 60 %.
...