E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Italia, marrëveshje për përfaqësimin diplomatik

10-01-2011 / Gazeta 55

Franko Fratini: Parlamenti shqiptar funksionon, BE duhet të rishohë qëndrimin në progres-raport


Ministri Haxhinasto zhvilloi një vizitë zyrtare në Romë ku u prit nga homologu i tij italian, Frattini


Italia dhe Shqipëria kanë firmosur sot një marrëveshje të përfaqësimit diplomatik, ku shtetet marrin përsipër përfaqësimin dhe mbrojtjen konsullore në ato vende apo organizata ndërkombëtare ku njëra nga palët nuk ka përfaqësim diplomatik. Më së shumti, do t’i takojë Italisë të përfaqësojë interesat e Shqipërisë për sa kohë ka një rrjet më të shtrirë diplomatik në mbarë globin. Por në këtë anë, nuk ngelet pas as roli i diplomacisë shqiptare, duke konfirmuar kështu dinamizmin në politikën e jashtme. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Edmond Haxhinasto dhe Franko Frattini, gjatë një takimi të zhvilluar në Romë. Kryediplomati italian tha se përmes kësaj marrëveshje bëhet e mundur vendosja e marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e botës. “Është një marrëveshje që i jep mundësi Shqipërisë të rrisë përfaqësimin në ato zona ku nuk është e përfaqësuar. Vendosja e ambasadave të Italisë në funksion të diplomatëve tanë na jep mundësi të aplikojmë një diplomaci për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe me vendet e gjithë botës”- u shpreh Fratini. Mërrëveshja e nënshkruar është në vijim raporteve të shkëlqyera dypalëshe. Integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon, ishin në qendër të bisedimeve. Ministri Haxhinasto falënderoi dhe vlerësoi rolin e Italisë, duke e vlerësuar atë si një partner strategjik të Shqipërisë. Haxhinasto vlerësoi kontributin e ministrit Fratini, si mik i Shqipërisë dhe Shqiptarëve, në drejtim të liberalizimit të vizave, dhe të procesit të integrimit te Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deklarata e Përbashkët Politike për një Partneritet Strategjik, nënshkruar vitin e kaluar në Romë, nga të dy kryeministrat, u vlerësua si një instrument shumë i rëndësishëm politik. Ministrat Haxhinasto dhe Frattini, u angazhuan për të punuar bashkërisht për pasurimin e mëtejshëm e konkret të axhendës dypalëshe, për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat prioritare e me interes të ndërsjellë si: ekonomia, energjia, infrastruktura e transportit, e bujqësia. Dy ministrat u shprehen në nxitjen e mëtejshme të investimeve italiane në Shqipëri, e në mënyrë të veçantë në projektet energjetike e infrastrukturore, përfshirjen e Shqipërisë në rrjetet e rëndësishme ndërkombëtare të gazit, lindje-perëndim, që kalojnë nëpër rajon, ndërmarrja e projekteve të përbashkëta për Korridorin 8të etj.


Fratini: Opozita të votojë ligjet me shumicë të cilësuar


Temë qendrore në këto bisedime ishte axhenda evropiane e Shqipërisë dhe sidomos angazhimi e mbështetja e fuqishme e Italisë për procesin e integrimit te Shqipërisë. Ministri Fratini siguroi z. Haxhinasto për mbështetjen e tij të plotë për integrimin e Shqipërisë në BE. Më tej, ministrat Haxhinasto dhe Frattini u ndalën gjerësisht në zhvillimet më të fundit në rajon. U vlerësua politika konstruktive rajonale e Shqipërisë, si dhe roli strategjik i Italisë në Ballkanin Perëndimor dhe kontributi i saj i vazhdueshëm në mbështetje të pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës. Nga ana e tij, ministri Haxhinasto bëri një prezantim të zhvillimeve politike në Shqipëri. Në përgjigje, ministri Frattini theksoi se parlamenti shqiptar funksionon dhe një gjë e tillë duhet të njihet edhe nga vendet e tjera evropiane, sepse ka perceptime jo të drejta dhe që nuk bazohen në realitet. “Angazhimi i opozitës duhet të jetë i pranishëm për ligjet që kërkojnë 2/3 e votave, ligje të cilat janë të rëndësishme për ecurinë e vetë vendit”- u shpreh Fratini, duke shtuar se çdo parti politike apo individ duhet që të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të mos bllokuar procesin e integrimit. “U duhet shpjeguar qytetarëve se çfarë është kriza politike. Në Shqipëri mund të ketë konflikt politik, por Parlamenti dhe institucionet funksionojnë”- tha Frattini, duke iu drejtuar edhe Brukselit, për qëndrimin e shprehur më parë në progres-raportin e Komisionit Evropian lidhur me ngërçin politik dhe mos funksionimin e plotë të Kuvendit.


Raporti i Dick Marty-t, Haxhinasto- Fratini: S’do i japim rëndësi më shumë se sa duhet, Kosova do ecë përpara  


Shefi i diplomacisë italiane do të vizitojë së shpejti Kosovën dhe për këtë arsye ka diskutuar me ministrin Haxhinasto edhe mbi raportin e reporterit të KiE, Dick Marty. “Raportit të Marty nuk do t’i japim më shumë rëndësi sesa duhet. Proceset e rajonit nuk pengohen nga asnjë raport dhe me ministrin Frattini kemi rënë dakord për mbështetjen e Kosovës, në mënyrë që edhe ajo të ecë përpara”- ka shtuar Haxhinasto.


Zv/kryetari i senatit italian, Dini: Italia do vazhdojë të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt BE


Gjatë qëndrimit në Romë, Ministri Haxhinasto u prit në takime të veçanta nga Zëvendëskryetari i Senatit Italian dhe Përfaqësuesi i Delegacionit Parlamentar Italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, z. Lamberto Dini, si dhe nga znj. Emma Bonino, zv/presidente e Senatit italian. Në këto takime, ministri Haxhinasto dhe dy përfaqësuesit e lartë të Senatit, pasi theksuan rolin e veçantë të dimensionit parlamentar në funksion të konsolidimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndanë mendimin se Italia, si një partner strategjik, do të vijojë të mbështesë progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në axhendën e saj evropiane. Z. Dini dhe znj. Bonino siguruan ministrin Haxhinasto, për mbështetjen e Shqipërisë në integrimin ne BE, duke vlerësuar edhe rolin e Shqipërisë në rajon e në drejtim të stabilitetit dhe sigurisë ne rajon. Po ashtu, z. Dini vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria, duke veçuar atë në fushën ekonomike. Gjithashtu, në vijim të vizitës në Romë, ministri Haxhinasto, pati një takim të veçantë me përfaqësues të shquar e të suksesshëm të komunitetit shqiptar në Itali, nga fusha të ndryshme të biznesit, kulturës, gazetarisë, artit e akademisë, midis të cilëve edhe Ambasadori i Kombit Kledi Kadiu, sopranoja Anila Kraja, etj. Haxhinasto u shpreh se Shqipëria është ndjerë e nderuar me përfaqësues të tillë. Por zhvillimi i sotëm i Shqipërisë e ka bërë çdo shqiptar, kudo ku jetonte të ndjehet krenar për atdheun amë dhe progresin e tij. Më tej, u shkëmbyen mendime për rritjen e përkujdesjes së shtetit shqiptar ndaj emigrantëve, veçanërisht në drejtim të ruajtjes së traditës, kulturës e gjuhës, por edhe për përmirësimin e shërbimeve konsullore, dhënien e pasaportave biometrike nga ambasadat, si dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Të pranishmit vlerësuan si të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një imazh të ri të Shqipërisë e shqiptarëve, imazh që reflekton një stad të rëndësishëm të zhvillimit të saj. Gjatë takimit, të pranishmit morën pjesë në hapjen e ekspozitës me punime të artistit shqiptar me banim në Romë, Vladimir Nika. Ministri Haxhinasto zhvilloi, gjithashtu, një pritje për të gjithë ambasadorët e akredituar në Shqipëri, rezidentë në Romë. Në fjalën e tij, ministri Haxhinasto foli për prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe progresin e saj të gjithanshëm. A theksoi se prioritet i diplomacisë shqiptare është intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe me të gjithë vendet e botës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›