Mesila Doda: Drejtësia u bë palë me krimin e rrugës së brezit të ri të bllokmenëve

Partia Demokratike vazhdon të kritikojë vendimin e pak ditëve më parë të Gjykatës së Tiranës, për të lënë në arrest shtëpie shtetasin Besnik Dabulla, i cili qëlloi me armë Endrin Lufin, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Bujaria e gjyqtarëve të çështjes, apo ndërhyrja e politikës, kryesisht të segmenteve të majta, trashëgimtarë të nomeklaturës hoxhiste, e bën sistemin e Drejtësisë të pabesueshëm si dhe ngre shumë hije dyshimi. Sipas Partisë Demokratike, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, ndërsa drejtësia ka mbrojtur krimin me pushtet. Deputetja Mesila Doda tha se Besnik Dabulla, djali i deputetes socialiste Arta Dade, nuk është i panjohur për organet e drejtësisë.
“Partia demokratike ka denoncuar rekordet e tyre mafioze dhe më parë, në lidhjet me bandën e Hakmarrjes për Drejtësi, ka denoncuar rastin e plagosjes së mëparshme të një shtetasi dhe përgjakjes së fundit në mes të bllokut, pranë strehës së vjetër të familjes së tyre politike”- thuhet në ketë deklaratë për shtyp të Partisë Demokratike. Deputetja e partisë Demokratike Mesila Doda në këtë deklaratë thekson faktin se “gjatë ditëve të kaluara patëm rastin të shihnim reagimin e pashembullt të Drejtësisë shqiptare, e cila si asnjëherë tjetër u bë palë politike me krimin e rrugës së brezit të ri të bllokmenëve të vjetër”.Me sa duket të gjitha këmbanat e alarmit që bien për personat e veshur me pushtet po bien në vesh të shurdhër. Banditizmi i brezit te ri te bllokmenëve të vjetër, tashmë është një fakt përpara syve të gjithë qytetarëve shqiptarë. Mbrojtja publike e banditizmit nga pushteti politik i prindërve është tregues i aleancës që individë të drejtësisë shqiptare nuk kanë shtrënguar më krimin politik. Partia demokratike kërkon reagimin e menjëhershëm të instancave përkatëse për të vënë në vend drejtësinë dhe për të treguar para shqiptareve, se çdo individ është i barabartë përpara ligjit.