Banka Botërore: Ekonomia shqiptare, më e brishta e rajonit
Ekonomia shqiptare është ajo më e brishta mes 6 vendeve të rajonit, ku borxhi përbën më shumë se dyfishin e të ardhurave vjetore. Shenjat e kohëve të fundit të një rritjeje ekonomike më të dobët në Shqipëri dhe niveli i saj ri i borxhit relativisht të lartë nënkupton se edhe Shqipëria kësaj here mund të preket negativisht. Këto radhë nuk i takojnë opozitës shqiptare, është një raport i Bankës Botërore i 15 nëntorit 2011 që nxin retorikën rozë të qeverisë. Por konstatohet se gjatë diskutimit të ashpër parlamentar për buxhetin e shtetit, askush nuk citoi këtë raport, shkruan e përjavshmja Investigim.
Shqetësimet në lidhje me ekonominë shqiptare rezultuan në një rënie të të ardhurave me 2.8 për qind në terma reale gjatë gjysmës së parë të vitit 2011. Tendenca të ngjashme vijuan të përshkonin ekonominë shqiptare edhe gjatë tremujorit të tretë, bashkë me një përmirësim të akcizave dhe kontributeve duke kompensuar një arkëtim relativisht të ulët të shumicës së taksave, raporti i Bankës Botërore është tejet cinik. Vihet alarmi se aktualisht, sistemet bankare në 6 vendet e rajonit duken të qëndrueshme, me nivel të lartë likuiditeti dhe rezerva të larta kapitali, por kjo mund të ndryshojë papritur, sidomos për disa banka specifike. Rajoni karakterizohet nga një përqindje relativisht e lartë të bankave me pronësi greke dhe italiane dhe se diaspora shqiptare është e përqendruar në Greqi dhe në Itali dhe ky është praktikisht edhe krahu i punës që është prekur më negativisht.
NËSE KRIZA DO TË PËRKEQËSOHET
Ndërkohë që një ngadalësim global dhe një trazirë e kohëve të fundit në Eurozonë (EZ) kanë lëkundur ekonomitë e gjashtë vendeve në Evropën Juglindore (SEE6), integrimi i tyre më i thellë me Bashkimin Evropian (BE) mbetet perspektiva më e mirë afatgjatë për rritjen e tyre, sipas dokumentit të ri të Bankës Botërore Raporti i Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore (SEE RER), i nxjerrë më 15 nëntor 2011. Ky është i pari i një serie raportesh të rregullt që do të dalin çdo gjashtë muaj. Parashikimet tona për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 2.5 për qind në vitin 2011 dhe 2.1 për qind në 2012, thotë Ron Hud (Hood), Kryeekonomist në Sektorin e Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik dhe autor kryesor i raportit. Megjithatë, edhe këto parashikime rritjeje modeste supozojnë që kriza e Eurozonës të zgjidhet në mënyrë të rregullt. Nëse kriza do të përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë më e keqe.
PASIGURITË E ZGJATURA
Efektet e një ngadalësimi të mëtejshëm global dhe pasiguritë e zgjatura rreth krizës së EZ do të ndikojnë ekonomitë e SEE6 nëpërmjet tregtisë, investimeve të huaja të drejtpërdrejta (FDI), bankave të huaja dhe remitancave, sipas Raportit të Rregullt Ekonomik mbi Evropën Juglindore. Të gjithë këta kanale do të prekeshin nga tensione më të thella ekonomike dhe financiare në BE dhe EZ. Përtej tregtisë, investitorët e BE janë gjithashtu ofruesit më të mëdhenj të FDI në rajon, me hyrje neto me vlerë mbi 2 për qind të PPB-së sëë EJL. Gjithashtu, vendet e EZ paraqesin një burim të rëndësishëm të remitancave për të gjithë vendet e SEE6, veçanërisht për Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe Serbinë.
PËRQINDJE E LARTË BANKASH GREKE DHE ITALIANE
Prania e bankave të huaja krijon një kanal tjetër të ndikimit të mundshëm. Pjesa e bankave të huaja në asetet totale të sistemit bankar të rajonit është rreth 89 për qind.Ndërkohë që sistemet bankare në përgjithësi në vendet e SEE6 duken të jenë rezistente, me likuiditet të lartë dhe amortizatorë të rëndësishëm kapitalë, rreziqet ekzistuese të kredisë dhe financimit po zmadhohen në rajon, të shtyra kryesisht nga zhvillimet negative në BE, barra e kredive me probleme nga bankat në shumë vende të SEE6 dhe rritja ekonomike në ngadalësim, paralajmëron Hud-i. Pothuajse të gjithë bankat e huaja në SEE6 janë nga vende të BE, me një për qindje krahasueshmërisht të lartë të bankave me pronësi greke dhe italiane. Stresi i mëtejshëm mbi bankat e tyre përkatëse mëmë mund të krijonte një tkurrje tjetër të kredisë në rajon. Hudi thekson që, Financimi ka të ngjarë të jetë një kufizim në ecjen përpara. Borxhi i jashtëm është rritur dhe një rënie në rritjen ekonomike në SEE6 mund të shkurtojë të ardhurat e qeverive, duke ngritur presionet për financim publik.
PËR MATURI FISKALE
Raporti u rekomandon autoriteteve në vendet e SEE6 të tregojnë maturi fiskale, të rindërtojnë amortizatorët fiskalë dhe të jenë të përgatitur për konsolidim të mëtejshëm të shpenzimeve. Për fat të keq, performanca fiskale është përkeqësuar në të gjitha vendet që nga viti 2008, dhe pak vende në rajon kanë ende hapësirë për të trajtuar një përkeqësim të krizës nëpërmjet lejimit të funksionimit të stabilizuesve automatikë. Me përjashtim të Kosovës, asnjë vend nuk ka depozita të mëdha për të tërhequr. Prandaj, disa vende duhet të përshpejtojnë konsolidimin fiskal, me faturat e pensioneve dhe pagave që janë fushat e rëndësishme të fokusimit, thotë raporti.
Ndërkohë që nevojat e menjëhershme të financimit të deficiteve fiskale duket sikur janë siguruar, perspektivat afatgjata do të mbeten të vështira, paralajmëron SEE RER. Ngritja e shpejtë e borxhit bruto të jashtëm dhe qeveritar ndaj PPB-së nga viti 2008 në vitin 2010 kryesisht i atribuohet huamarrjes së qeverisë që synon financimin e deficiteve fiskale të përdorura për të zbutur efektet e krizës. Grupi i SEE6 është heterogjen në lidhje me nivelin e borxhit të jashtëm, ku borxhi total në Malin e Zi dhe Serbi është mbi mesataren e rajonit, ndërkohë që Shqipëria ka borxhin më të madh publik si përqindje e PPB-së.
Shpohen depozitat greke, për 10 muaj u zhdukën 13-14 miliardë euro
Depozitat e bankave greke janë tkurrur me 26,4 miliardë euro, ose 12.6 për qind, që nga fillimi i vitit 2011. Ata janë nën 49,8 miliardë euro ose 21.3 për qind që nga janari 2010, kur filloi kriza e borxhit grek, njofton Reuters, që i referohet guvernatort të Bankës së Greqisë dhe anëtar i Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane, 61-vjeçarit Georgis Provopullos para një komisioni të posaçëm parlamentar.
Provopullosi tha gjithashtu se ekonomia e Greqisë, tani në vitin e katërt të recesionit, ka të ngjarë të tkurret me më shumë se 5.5 për qind në vitin 2011, duke përsëritur ato që janë thënë në raportin monetar paraprak të bankës qendrore. Ka më shumë gjasa se ajo (tkurrja) do të jetë më e lartë, ndoshta në 5.8 për qind, më afër 6 se 5.5 për qind, tha Provopullosi.
Dy nga tre bankat më të mëdha greke e kanë mbyllur 9-mujorin e parë të vitit 2011 me humbje. Alpha Bank pati një humbje neto prej 566.7 milionë euro krahasuar me fitimin neto prej 75.5 milionë euro një vit më parë. Humbja neto e Eurobank-ut arriti në 575 milionë euro kundrejt fitimit neto prej 60 milionë euro në janar-shtator 2010, njoftonte më 29 nëntor Wall-Street Journal.
Më 2 nëntor gazeta e
