Banka Botërore: Qeveria shqiptare duhet të reduktojë borxhin publik, është më i larti në rajon
Banka Botërore ka kërkuar nga ana e qeverisë shqiptare që të reduktojë borxhin publik, pasi është shumë i lartë. Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovski, tha se qeveria duhet të bëjë shumë kujdes me borxhin publik, duke qenë se mund të dëmtojë rëndë ekonominë shqiptare.
Keni nivelin më të lartë në rajon, tha Lvovsky, duke shtuar se Shqipëria ka varësi të madhe nga ajo që ndodh në Evropë. Sipas pëfaqësueses së BB-së, niveli i borxhit është 60%, më i larti në rajon.
Ajo ka pranuar se kriza ekonomike është duke u ndjerë edhe në Shqipëri dhe për këtë arsye është shprehur se Banka Botërore do të japë ndihmë për Shqipërinë.
Lvovski ka thënë se ekonomia shqiptare tashmë është ngadalësuar dhe për këtë, një ndikim të madh ka pasur ulja e remitancave.
Një nga specialistët e BB-së që vizituan vendin tonë, Ron Hood, ka theksuar niveli i borxhit është shqetësues, ndërsa ka bërë thirrje për marrjen e masave për uljen e tij.