Bujqësia, ligj i ri për krijimin e kooperativave

Nga mbledhjet e qeverise
Kryeministri Berisha: Ministria e Financave dhe Banka e Shtetit të krijojnë kushte për mbështetje financiare.
Fermerët shqiptarë, të cilët deri më sot janë përballur me situatën të prodhosh sa për vete dhe sa për të mbijetuar, duket se do të duhet të shohin përtej kësaj panorame. Qeveria me një vendim të sajin ka përcaktuar krijimin e shoqërive vullnetare bujqësore. Por, çdo të thotë kjo? Të gjithë ata individë që zotërojnë tokë bujqësore dhe që kultivojnë prodhime të ndryshme, mund të mblidhen në një shoqëri duke bashkuar kështu tokën nën një projekt të njëjtë kultivimi (i njëjti prodhim), çka do të sjellë edhe rritjen e rendimentit. Duket se ky ka qenë edhe vizioni i kreut të qeverisë kur foli dje për një ligj të ri, që shqiptarëve do tu kujtojë kooperativat, veçse këtë herë të krijuara në mënyrë vullnetare. Sot, ne miratojmë një vendim për krijimin vullnetar të shoqërive bujqësore, që do tu lejojë fermerëve shqiptarë përpjekje të përbashkëta për rritjen maksimale të rendimenteve, për gjetjen e caktimin e tregjeve më të leverdishme dhe marketingun më të mirë dhe ky përbën një hap të rëndësishëm, tha Kryeministri Sali Berisha. Kjo formë bashkimi e fermerëve tingëllon si një fazë parapërgatitore për sektorin bujqësor shqiptar si efekt i objektivit për të qenë pjesë e BE-së. Nëse Shqipëria merr statusin e vendit kandidat, ajo përfiton nga financimet e disa programeve të BE-së, të cilat përshijnë edhe sektorin bujqësor. Por që ky i fundit të marrë maksimumin, duhet fillimisht të jetë i organizuar dhe jo i copëzuar, sikurse është aktualisht. Kreu i qeverisë u shpreh dje se sektori i bujqësisë do të ketë vëmendjen kryesore dhe mbështetjen që i nevojitet. Kështu, një ndër pikat ku do të përqendrohet vëmendja, është gjetja e mënyrave të financimit të këtij sektori. Ministria e Financave, së bashku me Bankën e Shtetit dhe me faktorë të tjerë, duhet të bëjë çdo gjë për ngritjen dhe ndërtimin sa më shpejt të infrastrukturës financiare në të katër anët e vendit, për mbështetjen e fuqishme të këtij sektori, theksoi kreu i qeverisë. Duke u ndalur në këtë pikë, ai kujtoi një nga projektet që u mbështet nga Banka Botërore në vitet 90 dhe që rezultoi i suksesshëm. Me disa përpjekje shumë të suksesshme të viteve 92-96, të bëra me Bankën Botërore, u arrit një përqindje e lartë e fermerëve të kenë akses në mikrofinancë. Tani ekzistojnë disa shoqëri që e ofrojnë, por kryesisht në zonat afër qyteteve, në zonat e Ultësirës dhe nuk kanë një rrjet të organizuar. Ne duhet ta shohim këtë rrjet të infrastrukturës financiare dhe infrastrukturës dixhitale, u shpreh Berisha. Ai vlerësoi se tashmë ky sektor do të jetë në fokus të zhvillimit dhe, se nëse fillimisht u krijuan kushtet infrastrukturore, tashmë objektiv do të jetë krijimi i kushteve në sistemin e vaditjes dhe kullimit.
Në listë, nga ulliri e arrorët, te prodhimi i qumështit dhe mbarështimi i kërmijve.
Financimi, sa do subvencionohet bujqësia
Zbardhet vendimi i qeverisë, sipas pemëve që do të mbillen
Tetë sektorë do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural gjatë këtij viti. Qeveria miratoi dje edhe se sa do të jenë masat për secilin sektor. Kështu, për mbjellje ullishtash, arrash, për format intensive të kultivimit masa e përfitimit do të jetë 250 mijë lekë për hektar, kurse për format tradicionale kjo masë përfitimi është 180 mijë lekë. Sektorë të tjerë që do të përftojnë nga fondet e parashikuara në buxhet, janë edhe prodhimi i qumështit, vajit të ullirit dhe mjaltit, prodhimi i produkteve organike, nxitja e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë, mbarështimi i njëthundrakëve, mbarështimi i kërmillit dhe prodhimi i bimëve medicinave. Për të gjitha këto është përcaktuar edhe masa e përfitimit për secilën dhe po kështu është vendosur fondi, që do të bashkohet me fondet që vijnë nga programi IPA në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Gazeta boton të plotë vendimin që miratoi dje Këshilli i Ministrave, ku përcaktohen edhe gjithë detajet se si do të vlerësohet dhe ndahet përfitimi për sektorët.
V E N D I M
III. Sektorët që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të jenë:
1. Prodhimi i frutave, arrorëve e shegëve, ullinjve dhe rrushit;
2. Prodhimi i perimeve në serra;
3. Prodhimi i qumështit, vajit të ullirit dhe mjaltit;
4. Prodhimi i produkteve organike;
5. Nxitja e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë;
6. Mbarështimi i njëthundrakëve;
7. Mbarështimi i kërmillit;
8. Prodhimi i bimëve medicinale.
IV. Masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, në shkallë vendi, të jenë për:
1. Mbjellje ullishtash, 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe 180 000 (njëqind e tetëdhjetë mijë) lekë/ha për format tradicionale.
2. Mbjellje arrash, 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha për mbjelljet me fidanë të shartuar për qarqet Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin Librazhd, si dhe 180 000 (njëqind e tetëdhjetë mijë) lekë/ha për mbjelljet me fidanë të pashartuar në të gjithë vendin.
3. Mbjellje ekstensive lajthish, bajamesh dhe shegësh, 180 000 (njëqind e tetëdhjetë mijë) lekë/ha.
4. Mbjellje intensive lajthish, bajamesh dhe shegësh, 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha.
5. Mbjellje mollësh, dardhash, kumbullash, qershish, pjeshkësh dhe ftonjsh, 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha.
6. Agrume, kivi dhe luleshtrydhe, 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha për format intensive të kultivimit.
7. Mbjelljen e vreshtave, në masën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë) mijë lekë/ha.
Sipërfaqja minimale e mbjellë me bimët e përshkruara sipas masave 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të këtij kreu, duhet të jetë jo më pak se 2 (dy) dynymë.
8. Ujitjen me pika në arrorët, lajthitë, bajamet e shegët, për të gjitha format intensive të kultivimit të tyre, pemëtoret, agrumishtet, ullishtat, për të gjitha format intensive të kultivimit të tyre, dhe mbjelljet e reja, si dhe në vreshtat e reja, për rrush tavoline, serrat me ngrohje diellore dhe teknike, 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha.
Sipërfaqja minimale të jetë jo më pak se 2 (dy) dynymë.
9. Prodhimin e vajit të ullirit ekstra i virgjër, 100 (njëqind) lekë/litër për sasitë deri në 15 tonë/vit.
10. Prodhimin e produkteve organike bujqësore nga bimët e kultivuara në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë/fermë.
11. Blerjen/zëvendësimin e plastmasës për serrat me ngrohje diellore dhe teknike, në shkallë vendi. Në masën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha për serrat ekzistuese.
12. Blerjen e plasmasës për prodhimin e bostanoreve në serra tunele në masën 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për fermerët që mbjellin jo më pak se 5 dynymë shalqi.
13. Pagesën me 10 (dhjetë) lekë/litër qumësht, për numër lopësh jo më pak se 10 (dhjetë) krerë, por jo shumë se 80 (tetëdhjetë) krerë. Pagesa të bëhet kundrejt sasive të qumështit, të deklaruara në organet tatimore.
14. Pagesën me 5000 (pesë mijë) lekë/krerë, për fermat blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 10 (dhjetë) krerë njëthundrakë, por jo më shumë se 30 (tridhjetë) krerë;
15. Pagesën me 500 (pesëqind) lekë/krerë dele ose dhi të matrikuluara për fermerët, të cilat mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë.
16. Pagesën me 600 (gjashtëqind) lekë/koshere blete, për fermerët me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) koshere blete.
17. Pagesën me 20 000 (njëzet mijë) lekë për kokë mëshqerre racë e pastër, të moshës mbi 15 muaj, në zona t