E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Shkurtoni investimet për rrugët

Banka Botërore i sugjeron qeverisë të marrë në konsideratë ndërprerjen e investimeve të mëdha në infrastrukturë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe përkeqësimit të financave publike. Në një intervistë për “Top Channel”, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenia Ivovski tha se “nuk është një zgjedhje e lehtë, sepse vendi ka nevojë të përmirësojë infrastrukturën, ka nevojë për rrugë, të përmirësojë rrjetin elektrik dhe ujësjellësit”. Por sipas saj, nëse situata ne eurozonë përkeqësohet dhe nëse të ardhurat do të jenë më të ulëta sesa janë parashikuar në buxhetin e 2012-ës, mund të jetë e nevojshme të shtyhen disa nga këto projekte të mëdha në infrastrukturë. “Duhet monitoruar situata me shumë kujdes dhe të mos pritet në periudhë afatmesme për të bërë këto rregullime, por nëse është e nevojshme të ndërhyhet sa më shpejt", - tha Ivovski. Banka ka arsye të forta sepse për herë të parë po rekomandon një masë kaq drastike, pasi me këtë mënyrë, sipas saj nuk përkeqësohet borxhi publik dhe nuk cenohen shpenzimet për sektorët kyç si arsimi dhe shëndetësia. "Së pari më lejoni të them që niveli i borxhit në Shqipëri është rreth 59 për qind, shumë afër asaj që ne e quajmë kufiri i sigurt për ekonomi si, Shqipëria. Kur ndodhesh në një situatë të tillë buxhetore ka dy prioritete; e para është fokusimi tek rritja e të ardhurave përmes përmirësimit të mbledhjes së taksave. Dhe pasi është bërë kjo dhe buxheti vazhdon të jetë i shtrënguar, duhet të bësh zgjedhje të vështira tek shpenzimet. Dhe kur ndërhyhet tek shpenzimet, mbrojtja e sektorëve kyç si shëndetësia dhe arsimi, është qartësisht prioriteti kryesor sepse kapitali human është pasuria më e madhe që një vend ka dhe do të ketë", - thotë Ivovski. Kriza e ka ulur ndjeshëm ritmin e Shqipërisë për t'u zhvilluar. Zonja Ivovski theksoi ndër të tjera se për fat të mirë, të gjitha institucionet parashikojnë rritje për Shqipërinë, por më të ngadaltë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›