E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjysmohen dietat e administratës në udhëtimet jashtë

Kështu, do të jetë vetëm 25 euro në ditë nga 40 që është aktualisht, ndërsa pagesat e hoteleve dhe transportit do të bëhen sipas faturave përkatëse

Qeveria përgjysmon dietat e punonjësve të administratës jashtë vendit, duke nxjerrë një urdhërese të re, sipas së cilës do të procedohet tani e tutje me mbulimin e shpenzimeve të atyre që udhëtojnë jashtë vendit. Kështu, dieta ushqimore nga 40 euro në ditë që ka qenë deri tani, do të jetë vetëm 25 euro në ditë, ndërsa pagesat e hoteleve dhe transportit do të bëhen sipas faturave përkatëse. Qeveria nëpërmjet vendimit të djeshëm përcaktoi se punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme që dërgohen me shërbim jashtë vendit, për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare, trajtohen financiarisht për përballimin e shpenzimeve të shërbimit. Trajtimi financiar i punonjësve që dërgohen me shërbim në vendet e kontinentit europian bëhet në euro, ndërsa për vendet e kontinenteve të tjera në USD (dollar amerikan). Trajtimi financiar përfshin dietën ditore, shpenzimet e transportit, shpenzimet e fjetjes, si dhe shpenzimet për pagesa të ndryshme. Për efekt të llogaritjes së dietave, dita e nisjes dhe e kthimit nga shërbimi konsiderohet si gjysmë dite. Në rastet kur nisja bëhet përpara orës 8:00 dhe kthimi pas orës 20:00, dita përkatëse konsiderohet e plotë. Kur nisja dhe kthimi jashtë vendit bëhet brenda ditës, dita konsiderohet e plotë. Në këtë rast, nëse shihet e domosdoshme, mund të lejohet edhe rezervimi i një dhome hoteli për qëllime të akomodimit të pjesshëm, por kjo gjithmonë e paracaktuar në urdhrin e titullarit të institucionit. Në shpenzimet e transportit përfshihen shpenzimet e transportit vajtje-ardhje jashtë vendit, shpenzimet e transportit nga aeroporti në destinacion dhe anasjelltas, shpenzimet për lëvizjet në qytete të ndryshme, për nevoja pune, brenda shtetit përkatës, të cilat janë të përcaktuara paraprakisht në urdhrin e shërbimit. Shpenzimet për transportin urban (metro, tramvaj, autobus etj.) përballohen nga vetë punonjësi. Ndërsa në shpenzimet e fjetjes përfshihet fatura e hotelit të përzgjedhur, si rregull, në mënyrë të diferencuar, për kategoritë për kategoritë 1, 2, 3 - hotel deri me 5 yje; për kategoritë 4, 5, 6 - hotel deri me 4 yje; c) për kategoritë 7, 8 - hotel deri me 3 yje. Në të gjitha rastet, nëse pritësi merr përsipër përballimin e shpenzimeve të ushqimit, në të holla ose në mënyrë tjetër, dhe pavarësisht nga vlera e këtij shpenzimi punonjësi nuk trajtohet me dietë. Trajtim financiar përfitojnë punonjësit edhe kur dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra, me urdhër të titullarit të institucionit qendror ose të deleguarit të tij, në rastet kur shpenzimet mbulohen tërësisht nga buxheti i shtetit. Në këtë rast, masa e dietës përllogaritet në masën 25 euro/USD në ditë, shpenzimet mbulohen pjesërisht nga pala pritëse dhe në dokumentacionin e palës pritëse parashikohet shprehimisht mënyra e mbulimit të shpenzimeve. Në rastin kur pala pritëse nuk mbulon trajtimin e punonjësit me ushqim apo me të holla, buxheti i shtetit mbulon trajtimin financiar në masën 25 euro/USD në ditë. Qeveria përcaktoi se këto rregulla zbatohen edhe për entet publike jobuxhetore, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50 për qind shtetëror.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›