E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rrit borxhin, duhen 40 milionë euro për KESH

Qeveria autorizon KESH –in të marrë kredi në vlerë 4.5 miliardë lekë për të përballuar situatën energjetike në vend për shkak të reshjeve. Vendimi u publikua sot në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Marrja e këtij vendimi u kushtëzua nga situata jo e favorshme energjetike dhe në përputhje me qëndrimin e qeverisë, e cila ka si prioritet sigurimin e furnizimit me energji elektrike. “Këshilli i Ministrave miratoi sot aktin normativ që autorizon Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për të marrë një kredi në shumën 4.5 miliardë lekë, për të përballuar situatën energjetike në vend për shkak të mungesës së reshjeve. Ky vendim merret pas një situate jo të favorshme hidrike, të shkaktuar nga mungesa e nivelit të domosdoshëm të reshjeve dhe në përputhje të plotë me qëndrimin e qeverisë, e cila e ka prioritet absolut të saj sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji”, - citohet në vendimin e qeverisë. Pavarësisht shpenzimeve që po kryhen në këto ditë të fundit, sidomos për blerje të energjisë, kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se gjatë vitit të ardhshëm do të zbatohet direktiva e Bashkimit Europian për ruajtjen e nivelit të borxhit publik dhe shkurtimin e shpenzimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›