E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, Mirëmbajtja nga privatët, taksa në tunel 5 euro

SHKRUAN: Blerina Hoxha 15-12-2011 12:45

Qeveria ka miratuar dje dhënien me koncesion për mirëmbajtjen e rrugës së re Durrës- Kukës. Tenderi hapet në janar të 2012-ës. Taksa 5 euro për automjetet në hyrje të tunelit

Rruga e re Durrës –Kukës ku përfshihet edhe tuneli, do të mirëmbahet nga privatët, duke shënuar kështu edhe precedentin e parë të privatëve në këtë shërbim. Për të realizuar këtë, pritet që në fillim të vitit që vjen të vihet një taksë rreth 5 euro ndaj automjeteve që përdorojnë rrugët. Sipas burimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, taksa do të vilet në hyrje të tunelit. Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë". Autoriteti kontraktues propozohet të jetë Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, e cila ka bërë shqyrtimin dhe vlerësimin e projektit të propozuar për koncesion mbi bazën e analizës së rentabilitetit, fizibilitetit dhe të përshtatshmërisë financiare. Ky vendim do të bëjë të mundur fillimin e procedurave për dhënien me koncesion të këtij projekti.

Ndërsa në janar parashikohet të hapet tenderi për përzgjedhjen e firmës private, e cila do të mirëmbajë tunelin e Thirrës prej 6 km. IFC ka kryer studimin mbi eficiencën e rrugës dhe shpenzimeve që nevojiten për mirëmbajtjen, ndërsa pritet që termat e projektit të miratohen në qeveri dhe më pas të kalohet në hapjen e tenderit. Burimet nga Ministria e Transportit thanë se paraprakisht mendohet që pagesa për kalimin e tunelit të jetë 5 euro për autoveturat, por taksat do të variojnë në varësi të madhësisë së mjeteve. Aktualisht për mirëmbajtjen e rrugës Rrëshen-Kalimash, buxheti i Drejtorisë së Rrugëve ka akorduar një fond vjetor rreth 2 milionë euro, të cilat shkojnë për kosto operative të ndryshme, ndërsa sa i takon dëmtimeve të aksit, vijon të mbetet nën mbikëqyrjen e kompanisë turke. Por studimet e fundit tregojnë se për mirëmbajtjen e kësaj rruge qeverisë do t’i duhen më tepër fonde, për shkak të amortizimit me kalimin e viteve. Vetëm kostoja vjetore e mirëmbajtjes së tunelit llogaritet rreth 1 milion dollarë në vit. Ndërsa në Ministrinë e Transporteve llogaritet që shuma që pritet të mblidhet do të jetë rreth 13 milionë euro në vit. Nga studimet rezulton një trafik prej 12 000 mjetesh në verë dhe 4000 në dimër, pra mesatarisht 7 500 mjete. Vlera reale e taksës do të zbardhet kur Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) do të prezantojë raportin për dhënien me koncesion të rrugës Durrës-Kukës brenda këtij viti. Burimet nga Ministria e Transporteve thanë se pjesë e studimit janë tri ekipe vlerësimi për anën financiare, teknike dhe atë ligjore. Mirëmbajtja e rrugës së re do të jepet me koncesion. Procedura, sipas Transporteve, do të jetë transparente dhe do të ftohen investitorë të huaj të rëndësishëm për të marrë pjesë në tender. Kostot e mirëmbajtjes së rrugës do t’i paguajë konsumatori. Kjo është një praktikë e njohur në të gjitha vendet perëndimore dhe synimi është që për shërbimin e ofruar të merret cilësia maksimale. Korporata Ndërkombëtare Financiare është pjesë e grupit të Bankës Botërore. Në 10 vitet e saj që operon në Shqipëri, IFC ka investuar rreth 150 milionë euro në mbështetje të sektorit privat dhe publik. Ndërkohë që sipas planit të Ministrisë së Transportit, Kuksi dhe Tirana, duke përfshirë edhe rrugën e re Durrës-Kukës, do të jenë dy qytetet që duke nisur nga vit 2012, do të aplikojnë mirëmbajtjen e rrugëve nga kompanitë private.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›