E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore del garant për privatizimin e OSSH

 

Privatizimi i sektorit të shpërndarjes së energjisë do të mbështetet financiarisht nga Banka Botërore. Gjatë një takimi të zhvilluar me deputetë të Komisionit të Ekonomisë, drejtues të Bankës Botërore kanë deklaruar se do të negociohet me qeverinë për një garanci bankare. Kjo shumë parash është parashikuar që t'i jepet blerësit të OSSH-së në rastet kur ky i fundit mund të gjendet në vështirësi financiare të shkaktuar nga qeveria shqiptare. Sipas deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, një rast i ngjashëm është zbatuar dhe në Rumani. Sipas këtij projekti, kjo garanci nuk është gjë tjetër veçse një kredi që ka marrë pala shqiptare nga Banka Botërore. Kjo kredi do të merret vetëm në rastin kur qeveria shqiptare duhet t'i paguajë dëmet blerësit të OSSH-së. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët. Tenderi për privatizimin e kësaj kompanie pritet të zhvillohet së shpejti. Aktualisht kompanitë e parakualifikuara (i) ENEL S.p.a, (ii) ENERGIE STEIERMARK AG, (iii) EVN AG dhe (iv) CEZ, janë duke përfunduar procesin e due diligence-s për përgatitjen e ofertave, të cilat do të paraqiten në datën 15 shtator 2008. Procesi i privatizimit të OSSH-së është parashikuar që të mbyllet këtë vit. Ndërkohë po dje, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë u miratuan disa ndryshime në ligjin "Për koncesionet", ndryshime të cilat u miratuan pa praninë e opozitës. Tashmë kontratat koncesionare me vlerë mbi 20 milionë euro do të miratohen nga qeveria dhe jo më nga institucionet përkatëse. Diskutimi i këtij drafti është kryer mes debatesh, ku deputetët e Partisë Socialiste e kundërshtuan këtë nen, duke e cilësuar atë si abuziv. Pas debateve deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja dhe miratimi i këtij projektligji u krye pa votat e opozitës. Tashmë do të jetë vota në seancën plenare të radhës që do të vendosë nëse qeveria do të ketë të drejtë të shqyrtojë dhe miratojë kontratat koncesionare me vlerë mbi 20 milionë euro. Ligji trajton marrëveshjet në shumë fusha të ndryshme, si energji, ujëra, transport, shëndetësi, arsim dhe të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›