E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fasonistët: Mungesa e dritave po na dëmton

 

Mungesa e energjisë elektrike po dëmton rëndë biznesin fason. Gjatë një takimi të zhvilluar dje mes përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të OSSH, u trajtuan probleme të furnizimit me energji elektrike të biznesit dhe u kërkua të respektohet kërkesa e biznesit për furnizim të rregullt me energji elektrike. Në takim u tha se Tirana paguan më shumë se 94% të energjisë së konsumuar, ndërsa biznesi fasonist arkëton 100% të konsumit.
Drejtori i Përgjithshëm i OSSH, Sahit Dollapi, kërkoi diskutimin e hapur të të gjithë shqetësimeve të ngritura, por ai theksoi rëndësinë që ka për administratën e tij respektimi i detyrimit të kontraktuar me OSSH dhe këmbënguli që energjia e konsumuar duhet të paguhet rregullisht. Gjatë takimit të djeshëm, Dollapi i kërkoi Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve të identifikojë zonat me probleme të spikatura në furnizimin me energji elektrike, në Tiranë dhe në rrethe dhe premtoi ndërhyrje të menjëhershme në furnizim të vazhdueshëm me energji për të mos ndërprerë prodhimin dhe rritur kostot e tij. Drejtori i Përgjithshëm i OSSH konfirmoi se janë duke u bërë investime të rëndësishme në fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe në rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe i propozoi biznesit që, duke respektuar ligjin për ERE, të mund të bëhet edhe ai pjesë e bashkëpunimit me OSSH, e cila ofron falas projektimin dhe asistencën teknike të linjave ndihmëse që rrisin sigurinë në furnizim dhe sigurojnë kosto të pranueshme për biznesin. Por Dollapi nuk ka lënë pa paralajmëruar serish biznesin, se ndërprerje të energjisë do të ketë deri në fund të muajit shtator për shkak të grafikut të remonteve të planifikuara dhe se kjo do të vazhdojë me synimin për të pasur më shumë cilësi në periudhën e ngarkuar të dimrit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›