Koçi: Lëvizja jonë do të kthehet në parti politike
Drejtuesi i Lëvizjes së majtë, Petro Koçi, u shpreh dje se do ta regjistrojë atë si parti politike. "Kushtet e krijuara nga sistemi zgjedhor Rama-Berisha bëjnë të domosdoshme ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm organizative dhe juridike për kthimin e lëvizjes në një subjekt elektoral socialist më vete", tha Koçi. Tashmë deputet i grupit më të ri parlamentar "E majta për Integrim", Koçi u shpreh se ky ishte një bashkim i dy forcave reale socialiste. "Lëvizja jonë politike tashmë do të ketë përfaqësimin e saj institucional në Kuvend pas formimit të grupit të ri parlamentar "E Majta për Integrim" në marrëveshje me socialistët e LSI-së", u shpreh Koçi. Deputeti socialist argumentoi vendimin e tij për t'iu bashkuar grupimit të ri parlamentar, por dhe shndërrimit të kësaj lëvizje në parti politike. Sipas tij, fryma përjashtuese brenda PS-së dhe mungesa e mendimit ndryshe ishin arsyet kryesore të shkëputjes së tij nga ajo që ai e quan ish-PS. "Përjashtimi i mendimit ndryshe për shkak të mentalitetit berishian të lidershipit të PS-së, tashmë parti ish-socialiste, e detyroi Lëvizjen tonë institucionale të kërkojë instrumente përfaqësimi jashtë grupit parlamentar të PS-së", tha Koçi. Sipas tij, bashkëpunimi në koalicionin "E Majta për Integrim" do përfitojë mundësi të reja për të garantuar fitoren e zgjedhjeve ndaj Berishës dhe bashkimin e gjithë socialistëve pas zgjedhjeve.