Banka Botërore mbështet zhvillimin e Shqipërisë me projekte konkrete
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtoreshën e Rajonit të Europës dhe Azisë Qëndrore, Orsalia Kalantzopoulos, e shoqëruar nga shefja e Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri, Camile Nuamah.
Kryeministri e falenderoi zonjën Kalantzopoulos për kontributin dhe ndihmën e dhënë prej saj dhe Bankës Botërore ndaj qeverisë shqiptare për zhvillimin e reformave, si dhe shprehu kënaqësinë për takimin shumë të frytshëm që zhvilloi në Nju Jork me Presidentin e Bankës Botërore, Robert Zoellick.
Zonja Kalantzopoulos ndërsa diskutoi me Kryeministrin Berisha për projektin “Fider Road Project”, tha se qeveria shqiptare mund të fillojë menjëherë me zbatimin e këtij projekti dhe se Banka Botërore do të proçedojë me një financim retroaktiv të tij.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria po bën çdo përpjekje për të investuar në fushën energjetike, duke kërkuar nga Banka Botërore kompani konsulence për vlerësimin e ofertave, dhe negocimin e kontratave të kompanive të mëdha që do të bëjnë zbatimin teknik të projekteve hidroenergjitike.
Kryeministri Berisha i njohu bashkëbisedueset me vendimin e qeverisë për balancimin e prodhimit energjitik në vend nga burime të ndryshme, duke i dhënë përparësi projekteve për prodhimin e energjisë nga burime termike.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha dhe zonja Kalantzopoulos diskutuan për debatin e hapur mbi ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
Drejtoresha e Rajonit të Europës dhe Azisë Qëndrore, nga ana e saj, tha se Banka Botërore e konsideron ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për Shqipëri por edhe për Kosovën, ndaj Banka Botërore ka mbështetur dhe do ta mbështesë këtë projekt.
Gjatë takimit u fol dhe për projekte konkrete në zhvillimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e artizanatit.
Zonja Kalantzopoulos siguroi kryeministrin Berisha se Banka Botërore do të mbështesë këtë përparësi të qeverisë shqiptare, që gjeneron punësim dhe ndikon në zhvillimin e turizmit.