Fjala e Kryeministrit Berisha me rastin e fillimit të vitit akademik 2007-2008 në Fakultetin e Ndërtimit, të Universitetit Politeknik të Tiranës

I nderuar zoti Ministër!
I nderuar zoti Rektor! I nderuar Zoti Dekan!
Të dashur studentë dhe profesorë!
Të dashur prindër!
Jam shumë i gëzuar që jam në ditën e parë të vitit të ri akademik midis jush, këtu në Fakultetin e Ndërtimit, një prej fakulteteve më të mira të vendit, fakultetit që përgatit specialistët e sektorit promotor të zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo është një ditë e shënuar, një ditë feste, jo vetëm për ju, familjet tuaja por për të gjithë shqiptarët.
Me këtë rast, me lejoni t’ju uroj të gjithë studentëve dhe pedagogëve të shkollave të larta shqiptare:
Gëzuar ditën e parë të vitit akademik 2007 - 2008 dhe suksese dhe mbarësi në misionin tuaj të vështirë por të bukur!
Të dashur studentë dhe pedagogë !
Shoqëria shqiptare pret shumë nga ju. Mbi të gjitha, shoqëria shqiptare pret nga ju shkollim cilësor dhe unë jam shumë i sigurtë se ju do të arrini cilësi më të lartë shkollimi në këtë vit akademik. Sikundër, dua t’ju siguroj se unë dhe qeveria do t’ju japim ju çdo mbështetje për të kapur nivele më të larta dijeje në fushat ku ju studioni.
Investimi për Arsimin dhe Inovacionin është investim për të ardhmen, prandaj dhe qeveria ka shpalluar arsimin përparësinë e saj më madhore, ka vendosur të dyfishojë buxhetin për arsimin, të dyfishojë rrogat e arsimtarëve, të shtrijë internetin në të gjitha shkollat e vendit, të liberalizoje universitetet. Bazuar në këto objektiva, investimet kapitale në arsim u rritën nga 3.6 milardë në vitin 2005 në 6 miliardë në vitin 2007. Kabinetet e informatikës u rritën në 750 në vitin 2007, nga 30 që ishin në vitin 2005, kurse rrogat e arsimtarëve, nga 2005 në 2007 u rritën me 47 për qind.
Brenda dy viteve të qeverisjes, ne gati e dyfishuam numrin e studentëve në shkollat e larta. Kjo është një arritje e madhe për një vend kaq të varfër si Shqipëria dhe më lejoni t'ju siguroj se do të ecim drejt 4 dhe 5 - fishimit të numrit të studentëve në universitetet tona. Ne jemi komb i ri, mosha jonë është mosha e mësimit. Shkollimi do të jetë përparësia e parë e jonë.
Të gjithë maturantët që kaluan me sukses Maturen shtetërore do të kenë mundësi të vijojne studimet në degët që kanë dëshiruar, në përputhje me rezultatet që kanë arritur. Sistemi ishte transparent dhe mënjanoi prirjet korruptive në pranime.
Jemi të vetëdijshëm që realizimi i liberalizimit të pranimeve në universitete që ishte në përputhje me premtimin e realizuar që në vitin 2005, është me kosto të lartë për ne, por ne do ta mbështesim atë me të gjitha mjetet, sepse gara e dijes është gara për të ardhmen, "Dija sjell të ardhme", pra ky eshte investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e një vendi që synon zhvillimin, që synon të integrohet në BE dhe NATO.
Mirëqenia dhe barazia sociale në shoqërinë e një vendi nuk mund të vlerësohen vetëm nga masat sociale të ndërmarra, por më shumë dhe mbi të gjitha, nga vëllimi dhe rezultati i investimeve për të ardhmen.
Qeveria që unë drejtoj ishte e detyruar të ndërmerrte një paketë të kushtueshme sociale (rritje pagash, rritje pensionesh, etj), por ajo ka ndër prioritetet më të rëndësishme të programit të saj investimin për arsimin. Kjo tendencë do të forcohet akoma më shumë në buxhetet e viteve që vijnë. Kjo, sepse në shoqërinë e dijes inovacioni dhe edukimi i burimeve njerëzore janë faktorët përcaktues për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracise dhe shoqërisë së lirë, rritjes ekonomike dhe zhvillimin e vendit në tërësi.
Ne nuk duhet të harrojme për asnjë moment, se ritmet e zhvillimit ekonomik - shoqëror të vendit tonë do të përcaktohen para se gjithash nga zhvillimi inovativ, mbartës të të cilit janë arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor. Standardi i jetesës, mirëqenia e shqiptarëve do të varet shumë nga fakti se në ç’masë ne do të jemi në gjendje të rrisim shkallën e arsimimit dhe aftësitë profesionale, sidomos të brezit të ri.
Në rast se investimet kapitale për arsimin në dy vjet thuajse janë dyfishuar, Investimet e akorduara për arsimin e lartë për vitin 2007 janë 20 milion USD, pra gati 4 here më shumë se sa ato të akorduara në vitin 2005, që ishin 5 milion USD. Me to parashikohen të ndërtohen godina të reja mësimore dhe godina banimi për studentët, qendra kompjuterike, mobilim auditoresh, laboratorë dhe biblioteka.
Ne e gjetëm buxhetin e "Fondit për Shkencën" për vitin 2005 vetëm rreth 1 milion USD dhe e rritëm atë vazhdimisht. Në vitin 2008 ky buxhet gati katërfishohet dhe do të përdoret jo vetëm për projekte kërkimore, por edhe për bursa për shkencëtarët e rinj. Këtë vit ne katërfishuam pagesën për orët suplementare të . mësimit për pedagogët e jashtëm, në mënyrë që të rrisim cilësinë e saj.
Këtë vit, për herë të parë, kjo qeveri hapi Fondin e Exelencës, i cili mbështet studentët dhe shkencëtarët. e shkëlqyer për studime dhe kërkime afatshkurtër dhe afatgjatë në universitetet më të mira të botës. Me këtë fond ne dëshirojmë të përgatisim profesoratin e ri, të lartësojmë gjithnjë e më shumë nivelin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Shqipëria synon të integrohet sa më parë në BE dhe jo vetëm lëvizja e lirë, por edhe konkurrimi për punësim tashmë është global. Ne po ballafaqohemi përditë dhe në të ardhmen edhe më shumë, me konkurrencën për mendjet më të mira ("kokat më të mira").
Kjo do të thotë që ne jo vetëm duhet të investojmë për përgatitjen e profesoratit te ri me një nivel të lartë akademik - shkencor, por është po aq e rëndësishme të gjejmë mekanizma dhe të krijojmë kushte që edhe shkencëtarët e talentuar të kenë mundësi të punojnë në shkollat tona të larta dhe të mos largohen nga Shqipëria. Fondi i Exelencës dhe projekti i qeverisë për "Brain Gain", me të cilin ne synojmë të kthejmë përkohësisht apo përfundimisht të gjitha ekselencat shqiptare, kudo që ndodhen, në Shqipëri të hedhin hapin e parë, por do të thosha shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.
Të nderuar profesorë,
Duke shprehur nderimin tim më të thellë për kontributin dhe përkushtimin tuaj të madh, ju bëj thirrje t'i ndihmoni asistentët tuaj të përfitojnë nga ky program. Në këtë mënyrë, ju i bëni një shërbim të madh shkollave të larta, sepse përgatisni "pasardhësit tuaj akademike", të denjë për të përballuar kërkesat e kohës, që po rriten me hapa galopante.
Të dashur studentë,
Ju jeni gjenerata që do të merrni përgjegjësi në fusha dhe sektorë të ndryshëm, ju do të jeni projektuesit e Shqipërisë të mesit të këtij shekulli, i cili karakterizohet nga zhvillime të vrullshme në shumë fusha.
Arsimi i lartë në këtë fillim shekulli ballafaqohet me një sërë sfidash dhe ato janë shumëplanëshe.
Globalizmi, "revolucioni i tretë i madh industrial" që u shkaktua nga zhvillimi i paparë dhe i paimagjinueshëm, veçanërisht i IT, por edhe i bioteknologjisë, trendi demografik (fenomeni i plakjes së popullsisë dhe rrjedhojat ekonomike dhe sociale te tij), si dhe ndryshimet shumë të mëdha të klimës janë faktorët kryesorë që kanë kushtëzuar këtë ndryshim të misionit të arsimit të lartë në mbarë botën.
Në vendin tonë, një vend që po përfundon një tranzicion të vështirë në të gjitha planet, dalin në pah faktorë të tjerë, si ndezja e motorrëve të rritjes së shpejtë ekonomike, zhvillimi dhe konsolidimi i vlerave demokratike qytetare, zgjerimi i iniciativës së lirë, reduktimi i varfërisë dhe rritja e shkallës së punësimit, faktorë që përcaktojnë misionin e arsimit të lartë dhe shkencës në Shqipëri.
Ekonomistët shohin pas revolucionit të IT një revolucion të ri, atë të një transformimi ekonomik mbarëbotëror, që ndryshe quhet "revolucioni në organizim". Duke u mbështetur në arritjet e mëdha të IT, sipërmarrjet do të shtrijnë gjithnjë e më shumë veprimtarinë e tyre në rajonet fqinje dhe më tej. Kjo do të bëjë që të kemi të punësuar në vende të ndryshme që bëjnë të njëjtën pune, çka bën që midis tyre të rritet gjithnjë konkurrenca. Kjo prirje do të ndryshoj edhe kuptimin e "kualifikimit". I kualifikuar nuk do të jetë ai që ka vetëm kompetencë profesionale në profilin e ngushtë të punës që bën, por ai që është i aftë që dijet që zotëron t’i përdorë në bashkëpunim të ngushtë me të tjerë edhe jashtë vendit të tij, në grupe pune dhe me kompetencë të madhe sociale.
Nga universitetet sot pritet shumë më tepër se sa më parë. Prej tyre pritet mësimdhënie, kërkim shkencor dhe inovacion.
Misioni i shkollës së lartë përfshin jo vetëm një nivel shumë të lartë të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, por edhe një veprimtari inovacioni, domethënë të transferimit të dijeve në produkte që dalin në treg. Shkolla e lartë, jo vetëm që duhet t’i aftësojë studentët për të zhvilluar veprimtari inovative, por edhe edha ajo vetë të zhvillojë veprimtari inovacioni në formën e sipërmarrjeve të shërbimeve brenda shkollës apo përmes krijimit të sipërmarrjeve që shkëputen prej saj (spin-off).
Zonja dhe zotërinj!
Lidhja e arsimit të lartë me ekonominë dhe tregun e punës është sfida më e madhe e sistemit tonë arsimor.
Universitetet duhet t’i paraprijnë zhvillimit ekonomik të vendit. Bashkëpunimi i ngushtë midis shkollave të larta dhe ekonomisë e sipërmarrjes private është jetik për të dy palët.
Ky bashkëpunim duhet të jetë i gjithanshëm. Shkollat tona të larta duhet të përshtasin ofertën e tyre akademike me kërkesat e ekonomisë dhe të tregut të punës.
MASH dhe shkollat e larta duhet ta shohim me shumë kujdes këtë problem. Nevojiten studime dhe analiza të mirëfillta për raportin që zënë drejtimet e studimeve në fushat e shkencave sociale e shoqërore me ato në shkencat natyrore, teknike dhe biologjike.
Dija duhet të gërshetohet me profesionet. Statistikat e pranimeve në vitin e kaluar dhe në këtë vit akademik, tregojnë se po rritet numri i studentëve që synojnë të studiojnë në degë më afër profesioneve teknike apo të ekonomisë së shërbimeve. Studentë shumë të mirë kanë preferuar të studiojnë në degë të lidhura me IT, në degët e shkencave teknike - inxhinjerike dhe në degë të reja si infermieria, fizioterapia, teknikë laboratori, etj.
Kjo prirje i bën thirrje politikëbërjes të ofrojë politika nxitëse për zhvillimin e studimeve në drejtimet profesionale. Sistemi i Bolonjës e favorizon më së miri një gjë të tillë.
Ne jemi të gatshëm të investojmë me përparësi për zhvillimin e drejtimeve profesionale të studimeve që përfundojnë me diploma të njohura në Evropë dhe më tej. Një model i një Akademie profesionale po zhvillohet si projekt pilot në Universitetin e Durrësit. Të tilla modele duhen nxitur edhe në shkollat e tjera të larta.
Formimi i brezit te ri në shkencat natyrore dhe inxhinierike është një nga prioritetet kryesore të politikave arsimore në mbarë botën, veçanërisht në Evropë. Të diplomuarit në këto shkenca janë aktualisht në tregun global të punës praktikisht grupi me kompetitiv. Përvoja e dy tre dekadave të fundit ka treguar se ekziston një korelacion i ngushtë pozitiv midis shpejtësisë së zhvillimit të fushave më të reja të teknikës dhe teknologjisë, veçanërisht IT dhe numrit të diplomuarve në këto shkenca. Ka plot vende që kanë përvojë shumë të mirë në këtë fushë. P.sh. India, një vend i cili investon me përparësi për shkollimin e brezit të ri në shkencat: natyrore e tekniko- inxhinierike dhe sot është thuasje eksportuesja më e madhe e "mendjes", dmth e inxhinjerëve në tregun global të punës. Nga ana tjetër, India është bërë një ndër vendet më atraktive për kompanitë e mëdha evropiane dhe amerikane, për shkak të potencialeve të mëdha humane me nivel të lartë kualifikimi. Një rast analog në Evropë është Irlanda.
Kombi ynë, më shumë se çdo komb tjetër në Europe, gjendet në moshë dixhitale biologjike. Qeveria po bën dhe do të bëjë çdo përpjekje për të sjellë atë në moshë dixhitale teknike. Në këtë kontekst, kam kënaqësinë tju informoj ju se investimet dhe buxheti i qeverisë për këtë objektiv janë rritur shumë e shumë herë, krahasuar me dy vite më parë dhe ju garantoj se do të rriten shumë më tepër gjatë viteve që vijnë. Shqipëria në moshën dixhitale - është objektivi ynë.
Zonja dhe zotërinj !
Për një vend të vogël si Shqipëria, me popullsi kaq të re dhe rini kaq të interesuar për arsimimin terciar, nevojitet të gjenden mekanizma nxitëse për të rritur numrin e studentëve në degët natyrore dhe tekniko-inxhinierike jo vetëm në studimet Bachelor por edhe Master, si garanci më e mirë për punësim. Këto shkenca kushtojnë, sepse kërkojnë kapacitete. Qeveria do të mbështesë me prioritet drejtime të tilla studimesh.
Në këtë kontekst, meriton një mbështetje të veçantë Universiteti Politeknik UPT, si një universitet prestigjiozë në botën shqiptare, me një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e një plejade inxhinjerësh dhe shkencëtaresh, që kanë bërë emër në elitën intelektuale shqiptare.
Të dashur studentë dhe pedagogë,
Një tjetër plan shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit midis universiteteve dhe ekonomisë është zhvillimi i "Shpirtit" dhe aftësive sipërmarrëse te studentët që në bangat e universiteteve. Ne vërtet po i liberalizojmë universitetet, por ky liberalizim po shkakton një "superprodhim" të diplomuarish në shumë degë, sepse, nga njëra anë, numri i tyre tejkalon shumë nevojat e sipërmarrjes private ekzistuese dhe, nga ana tjetër, niveli i diplomave është i ulët dhe nuk u jep shanse reale të rinjve për t’u punësuar jashtë vendit.
Ne duhet të ndërtojmë programe konkrete për punësimin e të rinjve të diplomuar. Një mundësi shumë e madhe, përveç punësimit në sektorin privat, është vetpunësimi; pra shfrytëzimi i dijeve të fituara në studimet universitare për të hapur një biznes, në të cilin i diplomuari jo vetëm që vetpunësohet por punëson edhe të tjerë. Kjo është e mundur në të gjithë sektorët, atë prodhues, të shërbimeve, të konsulencës, etj.
Universitetet tona duhet të organizojnë njësi apo qendra përgjegjëse që hyjnë në një bashkëpunim intensive me biznesin për të zhvilluar aftësitë e sipërmarrjes (mund të quhen “ Qendra të formimit të sipërmarrësve të rinj”.
Nëse këto qendra, studentët e të gjitha degëve duhet të kenë mundësi të mësojnë se si mund ta hapin një biznes. Ne do të nxisim dhe do të mirëpresim çdo propozim që do të vijë për zhvillimin e programeve të tilla. Madje, qeveria do të ndërmarrë së shpejti edhe hapa konkretë për stimulimin e bizneseve të reja që themelohen nga universitarët (kredi, lehtësi fiskale).
Në këtë kontekst, dëshiroj të përshëndes përvojen e mirë që ka Fakulteti i Ndërtimit, në bashkëpunimin me ndërmarrjet, për praktikat e studentëve dhe nxitjen e punësimit të tyre.
Të nderuar pedagogë, kërkues, shkencëtarë të rinj!
Veprimtaria e kërkimit shkencor dhe zhvillimi i tij është jo vetëm një pjesë thelbësore e misionit të universiteteve për "prodhimin" e dijeve të reja, por edhe një rrugë tjetër e bashkëpunimit të ngushtë midis universiteteve dhe ekonomisë e shoqërisë.
Kjo është një sfidë tjetër për universitetet tona, pasi dihet se kjo veprimtari është dobësuar shumë.
Reforma e Akademisë së Shkencës dhe sistemit të kërkimit shkencor është njëra nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra 17 vitet e fundit në vendin tonë, reformë e vonuar por jetike, që shënoi shkëputjen e sistemit tonë akademik nga sistemi i falimentuar socialist sovjetik i kërkimit dhe shkencës dhe orientimin e saj, organizimin e saj, në përputhje me sistemet akademike të botës perëndimore. Kjo reformë çoi në riorganizimin tërësor dhe integrimin e instituteve kërkimore në sistemin e arsimit të lartë, duke bërë të mundur kështu krijimin e kontureve të para të një sistemi të ri të shkencës ku arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë të integruar në mënyrë organike. Ky sistem pritet të jetë më efiçentë dhe më inovativ për një vend të vogël si Shqipëria.
Tani jemi në fazën e ngritjes së disa qendrave dhe instituteve kërkimore, të cilat do të kenë si mision: kërkimin shkencor, formimin universitar dhe pasuniversitar të studentëve dhe shkencëtarëve, transferimin të njohurive të teknologjisë, si dhe shërbime, madje edhe shërbime kombëtare.
Qendrat e reja jane konceptuar ne perputhje me disa fusha prioritare te shkencës si trashëgiminia kulturore shqiptare, energjia, uji, bioteknologjia, gjeoshkencat, biofizika, biomjekësia, etj.
Përjashtuar Qendrën e Studimeve Albanologjike, që është qendër kërkimore kombëtare ndër-universitare, të gjitha qendrat e tjera janë brenda universiteteve.
Universiteti Politeknik është universiteti që fuqizohet më shumë se çdo universitet tjetër nga kjo reformë. Pranë tij po ngrihen Instituti i Energjisë, i Ujit dhe Mjedisit, si dhe Instituti i Gjeoshkencave. Përveç kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, këto qendra do të kryejnë edhe shërbime të rëndësishme kombëtare në fushat e sizmologjisë, hidrologjisë dhe meteorologjisë. Kjo është një përgjegjësi cilësisht e re për një universitet. Unë kam besim të plotë se ky universitet me emër kaq të mirë në vendin tonë, do ta bëjë më së miri këtë mision.
Ajo që duhet të bëjmë tani është të gjenden rrugë dhe mekanizma efikase për të rigjallëruar kërkimin shkencor dhe për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare. Qëllimi duhet të jetë që qendrat e reja të transformohen sa më shpejt në Qendra të Exelencës në kerkimin shkencor, zhvillimin teknologjik dhe inovacionin.
E kam inkurajuar MASH-in që, në bashkëpunim me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe me universitetet, të planifikojë me kujdes buxhetin e ri për kërkimin shkencor për vitin 2008, në të cilin duhet t’i jepet prioritet qendrave dhe instituteve të reja që po krijohen.
Siç e dini, qeveria e miratoi fondin që duhet të paguajë vendi ynë për të marrë statusin e vendit të asociouar në Programin Kuadër VII të Kërkimit dhe Zhvillimit të BE-së. Nga ana tjetër, në kuadër të projektit që ka qeveria jonë me BB-në, i titulluar "Cilësi dhe Barazi në Arsim", janë akorduar rreth 2,3 milion USD për projektet e përmirësimit të infrastrukturës laboratorike për mësim dhe kërkim në universitete. Ditët e fundit MASH ka zhvilluar konkursin e përzgjedhjes së projekteve më të suksesshme dhe fondi i disponueshëm do të përdorët tërësisht brenda këtij viti.
Siç e përmenda me lart, ne do të rrisim "Fondin për Shkencën" në buxhetin e vitit 2008. Por është shumë e rëndësishme që kërkuesit tanë të planifikojnë projekte kerkimi dhe zhvillimi dhe që kanë një impakt mundësisht të shpejtë në ekonominë shqiptare dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Kjo nuk do të thotë që ne nuk do të financojmë edhe projekte të kërkimit bazë, në fushat dhe departamentet ku është e mundur të realizohen projekte të tilla. Kërkimi bazë prodhon dije.
Gjithashtu, dëshiroj t'u inkurajoj që, së bashku të gjejmë rrugë dhe mekanizma nxitëse, stimuluese, përfshirë këtu edhe financiare, për të gjallëruar kërkimin shkencor në shkollat tona të larta. Në të kundërt, universitetet do të vuajnë nga një nivel i ulët i diplomave dhe mund të humbasin rolin e tyre prirës në shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht, ka shenja që shoqëria shqiptare e ka ulur shumë besimin në disa shkolla apo fakultete dhe kjo duhet të na shqetesojë shumë.
Zonja dhe zotërinj,
Reforma e organizimit dhe qeverisjes së universiteteve, ka një rëndësi përcaktuese për të ardhmen e tyre, si shtretër të mendimit intelektual dhe shkencor më të zhvilluar të kombit. Kjo reformë ka lidhje direkte me cilësinë e funksionimit të universiteteve, ka lidhje direkte cilësore me të ardhmen e zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst, është hartuar për herë të parë Strategjia e Arsimit të Lartë, e cila miratohet së shpejti. U miratua Ligji i ri i Arsimit të Lartë që është një hap përpara në zhvillimin e shkollave të larta.
Ky ligj parashikon ndryshime edhe në modelin e qeverisjes së universiteteve. Universitetet duhet të shpejtojnë punën për të vënë në jetë këtë model.
Zgjedhjet e reja në universitete janë hapi i parë, por vendimtar, në implementimin e këtij modeli.
Të dashur studentë dhe pedagogë,
Eshte në dorën tuaj që përmes votës të zgjidhni përfaqësuesit tuaj më të mirë për drejtues të departamenteve, fakulteteve dhe universiteteve si dhe për në organet vendimmarrëse.
Me këtë rast, unë dëshiroj t'u bëj një thirrje të sinqertë, shkeputuni nga kaIkuIimet e vogia të grupeve dhe përpiquni të gjeni akademikët më të aftë, më të ndershëm dhe të papërfolur për korrupsion, mitmarrje dhe sjellje të tjera në kundërshtim me etikën akademike.
Fakultetet dhe universitetet presin një ndryshim të thellë. Por, ky ndryshim mund të bëhet vetëm nëse në krye të tyre do të zgjidhen akademikët që kanë vizionin, përkushtimin dhe motivaconin e mjaftueshëm për të bërë këtë ndryshim.
Këshillat e fakulteteve dhe senatet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje kanë një përgjegjësi të madhe për reformimin akademik të shkollave të larta, me synimin qe oferta e tyre të jetë sa më e mirë dhe e krahasueshme për nga niveli me standardet ndërkombëtare.
Për herë të parë në shkollat e larta do të konstituohen Këshillat e Administrimit, të cilat do jenë përgjegjës për menaxhimin kryesisht financiar të universiteteve. Atyre u bie përgjegjësia për të përdorur me efiçiencë maksimale çdo qindarkë që vjen nga buxheti, taksat e studimeve apo donacionet.
Modeli i deritanishëm i drejtimit të universiteteve nuk përballon më sfidat e kohës. Shprehje shumë e qartë e dështimit të këtij modeli është, ndër të tjera, paaftësia për të zhvilluar politika afatgjata të zhvillimit të universitetit dhe për t'i materializuar ato me investime. Ekipet drejtuese të universiteteve nuk arritën dot të realizojnë plotësisht. investimet e parashikuara në buxhetin e shtetit. Studentët dhe pedagogët nuk mund t'ia falin drejtuesve të universiteteve dhe fakulteteve mosrealizimin e investimeve, çka nënkupton mungesa në kumpjutera dhe biblioteka, lidhjen me e-mail, kushte të papërshtashme në mjediset mësimore, etj.
Në përfundim, duke u u ruar edhe njëherë një vit të ri akademik të suksesshëm, dëshiroj t’ju siguroj se qeveria që unë kryesor është e vendosur të bëjë përpjekjet më të mëdha që arsimi shqiptar të zhvillohet me shpejtësi dhe të arrijë standardet e përparuara. Kjo është garancia më e madhe për të ardhmen e vendit.
Faleminderit dhe suksese në vitin e ri akademik!