Banka Europiane liron litarin rreth Greqisë
Banka Qendrore Europiane deklaroi dje se do të pezullojë zbatimin e një rregulloreje të vet në lidhje me kreditimin deri në vitin 2011, një masë që u interpretua nga ekspertët si ndihmë për Greqinë. Duke folur para Parlamentit Europian në Bruksel, presidenti i BQE, Jean Claude Trichet, tha se institucioni i tij do të vijojë të pranojë bondet e Greqisë e të Portugalisë si kolateral, pavarësisht se këto bonde kanë vlerësim negativ. BQE pranon për kolateral vetëm bonde që kanë vlerësim A, por për të lehtësuar krizën, e pezulloi zbatimin e këtij rregulli deri në fund të këtij viti. Trichet deklaroi se pezullimi do të vazhdojë edhe në vitin 2011. Në rast se BQE i rikthehet rregullit, atëherë bankat europiane që kanë blerë bonde në Greqi nuk do të mund t’i përdorin ato si kolateral. Në një rast të tillë, Greqia do të mbetej pa para dhe do të falimentonte.
Udhëheqësit e BE-së vijojnë nga ana tjetër diskutimin se çfarë duhet të bëjnë për të shpëtuar Greqinë, e cila vuan nga një borxh publik i stërmadh i barabartë me 130 për qind të prodhimit të brendshëm bruto vjetor. Monedha e përbashkët europiane, euro, shënoi ditët e fundit vlerën më të ulët në 11 muaj kundrejt dollarit, si pasojë e pasigurisë së krijuar në Greqi. Disa vende europiane refuzojnë të angazhohen qoftë edhe politikisht për të ndihmuar Greqinë, pasi nuk e shohin të arsyeshme të përdorin paratë e taksapaguesve të vet për të mbuluar mëkatet e një qeverie të huaj. Disa vende të tjera besojnë se kostoja e mosveprimit në këtë rast mund të jetë më e madhe sesa kostoja e ndërhyrjes.
#