Lejet mjedisore do të jepen nga komunat dhe bashkitë
Ligji “Mbi Mbrojtjen e Mjedisit” pritet të pësojë disa ndryshime. Të gjitha propozimet janë diskutuar me grupet e interesit, ministritë e linjës, si dhe biznesin. Ndërkohë që janë mbajtur shënime për të gjitha kërkesat apo propozimet. Dje Ministria e Mjedisit ka publikuar zyrtarisht disa nga ndryshimet që do të përfshihen në draft, ndërkohë që është folur edhe për mënyrën se si është përshtatur iniciativa edhe me standardet europiane. Për një pjesë të lejeve të ndërtimit, leja mjedisore pritet të jepet nga vendorët, komunat apo bashkitë, ndërkohë që pjesë e ndryshimeve në draftin paraprak janë edhe ngritja e një inspektorati që t’i shërbejë vërtet mbrojtjes së mjedisit dhe jo vetëm të inspektimit në fushën e peshkimit apo të pyjeve. Kërkohet që inspektorati i ri të ketë një rol më përfshirës, ashtu siç e kërkon koha dhe nevojat për përmirësim.
DiskutimiMinistri i Mjedisit, Fatmir Mediu, së bashku me stafin e tij, ka nisur diskutimin për draft-ligjin “Mbi Mbrojtjen e Mjedisit”.
Ky draft është hartuar nga projekti për Implementimin e Planit Kombëtar dhe Përafrimit të Legjislacionit Mjedisor, INPAEL, me financimet e Bashkimit Europian, në bashkëpunim me të gjithë aktorët që ky ligj përfshin. Paolo Baça, drejtori i projektit INPAEL, në fjalën e tij theksoi rëndësinë që ka ratifikimi i këtij ligji të ri, kur aktualisht ka një ligj ekzistues.
Sipas tij, ky ligj ka përparësinë se, së pari, sjell përputhje të plotë në formën e një ligji bazë. Një hap tjetër i rëndësishëm në draftin e hartuar është ndarja midis ministrisë, si hartuese e politikave dhe Agjencisë së Mjedisit, si zbatuese e këtyre politikave. Sipas draftit, do të ketë një ndarje të roleve dhe funksioneve mes institucioneve në procesin e dhënies së lejeve mjedisore, të cilat janë ndarë në tipin A, B dhe C.
Lejet mjedisoreSipas Ministrisë së Mjedisit, sipas ndryshimeve të kërkuara, agjencia ka detyrimet për dhënien e lejeve të tipit A dhe B, gjithashtu është përgjegjëse për monitorimin e mjedisit. Agjencia përgatit raportin e gjendjes së mjedisit, si dhe informon publikun mbi zbatimin e politikave. Ndërkohë që lejet e tipit C janë përcaktuar të jepen nga autoritetet lokale, bashki, komuna.
Mjedisi ka sqaruar se gjatë kohës së diskutimit të këtij drafti janë marrë pak komente nga ministritë e linjës dhe biznesi.
“Nga ky draft-ligj duhet të kuptojmë se Agjencia e Mjedisit kërkon një reformim të plotë. Duke kërkuar dhe ndihmën tuaj, në fund të draftimit të këtij ligji, duhet të kemi dhe një strukturë të agjencisë që t’u përgjigjet kërkesave të këtij ligji”, sqaroi ministri Mediu. Sipas tij, po punohet që të ketë një inspektorat të përgjithshëm për mbrojtjen e mjedisit. “Të jetë zbatues i legjislacionit të plotë të mjedisit dhe jo një inspektorat i fragmentizuar në inspektorat peshkimi, pyjesh apo me elementë të veçantë të mjedisit”, sqaroi ministri. Sipas tij është i nevojshëm shqyrtimi i mundësisë që Agjencitë Rajonale Mjedisore të jenë në varësi të Agjencisë së Mjedisit.
#