E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Islamike kredi për bizneset shqiptare

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Islamike për Zhvillim, Khalid Al-Aboodi, prezantuan nismën për promovimin e resurseve shqiptare në një konferencë ndërkombëtare në fillim të muajit nëntor.

 "Biznesi do të ketë mundësinë për të prezantuar projekte konkrete për të cilat mund të përfitojë edhe financim nga Banka Islamike, ndërsa do të ketë mundësinë të lidhë kontrata bashkëpunimi edhe me investitorë anëtarë të kësaj banke", tha Zhilla.

Sipas tij, nga kreditë e Bankës Islamike do të mund të përfitojnë edhe investitorë të huaj, por që janë të regjistruar në vendin tonë. Drejtori i Korporatës Islamike për Zhvillim, Khalid Al-Aboodi, theksoi se "janë të shumtë investitorët nga vende të ndryshme të botës, që do të vijnë në këtë konferencë, me qëllim bashkëpunimin me bizneset vendase, por edhe për të gjetur mundësi investimi në Shqipëri". 

Sipas tij, fushat e bashkëpunimit midis biznesit shqiptar dhe atij të huaj janë prodhimi i energjisë, zhvillimi infrastrukturor, portet, rrugët, aeroportet, por edhe turizmi. Konferenca ndërkombëtare, e cila do të mbahet në Tiranë nga data 2-6 nëntor, synon të mundësojë parashtrimin e nevojave të bizneseve shqiptare dhe të kërkojë të hapë rrugën e bashkëpunimit midis palëve të interesuara në projekte të veçanta.

Një javë më parë Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen për themelimin të Korporatës Islamike për sigurimin e investimeve dhe të kredive të eksportit,  e cila i krijon mundësi biznesit për të aplikuar dhe marrë kredi pranë Bankës Islamike. Shqipëria është anëtare e Bankës Islamike për Zhvillim që nga viti 1993.

Kujtojmë se Bankat Islamike marrin shumë fare të vogël kamate ose fare, pasi në fenë Islame nuk është e lejueshme kamata.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›