Banka Qendrore: Shpenzimet e qeverisë e rritën ekonominë
Banka Qendrore e Kosovës deklaroi së fundmi se ekonomia e këtij vendi u rrit me 4 për qind gjatë vitit 2009, por shtoi se shpenzimi i kursimeve publike të viteve të shkuara nga ana e qeverisë së Prishtinës, qe faktori që solli rritjen ekonomike. Sektori privat “dha një kontribut shumë të vogël te rritja ekonomike”, thotë Banka Qendrore.
Banka raportoi gjithashtu rënie të konsiderueshme të eksporteve, të investimeve të huaja direkte dhe të parave të sjella nga emigrantët, ndërsa shtoi se ekonomia ka dhënë shenja ngadalësimi. Ekonomisti kryesor i BQK-së, Valentin Toçi, shtoi gjithashtu se çmimet në ekonominë kosovare kanë qenë shumë të paqëndrueshme, duke variuar nga 8 për qind më të larta se një vit më parë, shënuar në janar, në 2.5 për qind më të larta në fund të vitit. çmimet në rënie të ushqimeve të importuara dhe rënia e kërkesës së brendshme e të jashtme, qenë shkaktarët kryesorë në luhatjen e çmimeve. Kosova importoi 1.9 miliardë euro mallra, ndërsa eksportoi 162 milionë euro gjatë vitit 2009.
#