Topalli në Kajro, diskuton për Kosovën
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kajro, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, është takuar me Kryeministrin e këtij vendi, Ahmed Nazif. Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se dialogu politik duhet të nxisë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes reciprok. I interesuar për këtë bashkëpunim, Kryeministri Nazif e njoftoi zonjën Topalli se po inkurajon ardhjen në Shqipëri nga Dhoma e Tregtisë së Egjiptit të një delegacioni biznesi gjatë muajit qershor që do të eksplorojë mundësitë për investime në Shqipëri”. çështja e Kosovës ishte një nga temat e bisedës mes dy zyrtarëve të lartë. Kryeministri egjiptian tha se vendi i tij e ka mbështetur popullin e Kosovës dhe se po ndjek me interes zhvillimet atje. Kryeministri Nazif tha se Egjipti nuk mban anë në këtë çështje dhe se vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës do të merret në momentin e duhur. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e mbylli vizitën zyrtare në Kajro me takimin me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Ahmed Aboul Gheit.
#