Banka Qendrore, masa për të zbutur borxhin e qeverisë
Banka e Shqipërisë pritet të marrë vendimin për uljen e normës bazë të interesit. Burime për “Top Channel” thanë se interesi do të zbresë në 5 për qind.
Ky do të jetë niveli me i ulet i 10 viteve të fundit, me përjashtim të marsit të vitit 2005. Ekspertët e BSH thonë se ky vendim merret për të stimuluar ekonominë dhe për të ulur sadopak koston e borxhit të qeverisë. Ulja e normës synon të ulë koston e parësore në ekonomi, duke shpresuar rënien e interesave për kreditë në lekë që bankat japin për biznesin dhe individët.
Nga ana tjetër kjo masë është një sinjal edhe për të nxitur rritjen e kreditimit, i cili është në nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Vendimi i bankës synon gjithashtu që të ulë sadopak edhe koston e borxhit të qeverisë, i cili në pjesën më të madhe është në lekë dhe me afat më të shkurtër se sa një vit. Për këtë arsye interesat e borxhit të qeverisë ndikohen jo pak nga politika monetare që ndjek Banka Qendrore.
Pak kohë më parë ministri i Financave kishte kërkuar publikisht uljen e normës bazë të interesit. Por banka e kushtëzoi uljen e normës me tërheqjen e qeverisë nga huamarrja e lartë në tregun e brendshëm dhe uljen e shpenzimeve, sinjal të cilin qeveria e dha me rishikimin e buxhetit të vitit 2010. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë gjykojnë se tashmë janë pjekur kushtet për të lehtësuar sërish politikën monetare, pasi inflacioni është nën kontroll dhe në treg është rritur oferta e valutës, çka shmang rreziqet për goditje në kursin e këmbimit.
#