Pensionet e minatorëve, miratohen ndryshime në ligj
Pas protestave, grevave të urisë, takimeve me përfaqësues të shtetit dhe debateve publike, ligji i përfitimeve për punonjësit e profesioneve të vështira do të pësojë ndryshime. Sipas Ministrisë së Punës, menjëherë pas urdhrit të Kryeministrit është mbledhur një grup specialistësh, të cilët, pasi janë konsultuar me ekspertë dhe “palët e interesit”, kanë dalë në përfundimet paraprake të hedhura të zezë mbi të bardhë në formën e një projektvendimi. Dje u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP) e drejtuar nga ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Me kërkesë të përfaqësuesve të sindikatave, tema e parë që u diskutua në mbledhjen e djeshme ishte projektligji “Për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të vështira dhe të rrezikshme”. Dje në takim është folur për vitet dhe vjetërsinë që duhet të përmbushin punonjësit e nëntokës, apo ata që kanë punuar në sektorë e profesione të klasifikuara si të vështira dhe me rrezik.
ProjektligjiDrejtori i Drejtorisë së Politikave për Pagat dhe Pensionet në Ministrinë e Punës, Astrit Kuka, prezantoi risitë e projektligjit. “Kërkesat e vazhdueshme të sindikatave për trajtimin e punonjësve të profesioneve të vështira, u vlerësuan nga Kryeministri, i cili me urdhrin nr. 28, datë 5.2.2010, ngriti grupin e punës për trajtimin e këtyre kërkesave me qëllim propozimin e projektakteve të nevojshme ligjore”, theksoi drejtori Kuka. Sipas tij, drafti është konsultuar me grupet e interesit dhe është bazuar në një studim paraprak të legjislacionit të vendeve të tjera. Kuka sqaroi se “projektligji parashikon mbështetje financiare për punonjësit që kanë punuar në punë të vështirë, të kategorisë së parë në moshën 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë, me kusht që të ketë periudhë sigurimi 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet në punë të kategorisë së parë në nëntokë. Kandidati që kërkon këtë përfitim duhet të ketë 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 22 vjet e 6 muaj në punë të kategorisë së parë. Nga ky projektligj parashikohet që të përfitojnë rreth 3 mijë persona. Këshilli Kombëtar i Punës miratoi projektligjin dhe u kërkua kalimi i tij sa më shpejt për miratim në Këshillin e Ministrave, si dhe në Parlament.
Këshilli Kombëtar i PunësKKP-ja është organi më i lartë konsultativ trepalësh në vend, në përbërje të të cilit në funksionin e anëtarit bëjnë pjesë shtatë ministra, si dhe njëzet përfaqësues të partnerëve socialë, nga të cilët dhjetë përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe dhjetë përfaqësues të organizatave sindikale. Ministri ka funksionin e tij si kryetar i këtij Këshilli. Po ashtu, dje në mbledhjen e KKP-së u diskutua edhe rreth Konventave të ILO të ratifikuara nga Shqipëria. Ndër të tjera u miratua fillimi i procedurave për ratifikimin e Konventës nr. 167 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë në ndërtim”.
#