E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesi, prokuroria gjen pronat e Velikos: Ka dy pallate, një hotel dhe një vilë në Vlorë

Verifikimi Hetimet e akuzës për grupin po përqendrohen te pasuria

Hetimet për të arrestuarit e operacionit të koduar “Ndërtuesi” po përqendrohen kryesisht te pasuria, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dërguar bankave të nivelit të dytë dhe hipotekave në të gjithë Shqipërinë kërkesa për evidentimin e pasurive dhe llogarive bankare që figurojnë në emër të pesë biznesmenëve. Informacionet e para që kanë mbërritur në zyrën e akuzës kanë qenë për shtetasin Arben Veliko, i konsideruar nga grupi hetimor si kreu i këtij rrjeti të trafikut të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë. Burime pranë akuzës qendrore thanë për gazetën “Shqip” se Arben Veliko, i njohur në qytetin e Vlorës si biznesmen, ka në zotërim dy pallate, një vilë dhe një hotel luksoz në breg të detit Jon, në periferi të qytetit. Pas verifikimeve të para, prokuroria do t’u kërkojë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që ky kapital të mos tjetërsohet deri në një vendim gjyqësor. Burime pranë grupit hetimor deklarojnë se do hetojnë në lidhje me origjinën e shumave financiare që janë përdorur për blerje trualli dhe materialeve të ndërtimit. Akuza do të kërkojë nga i arrestuari, por edhe nga familjarët e tij, dokumente që hedhin dritë për mënyrën e financimit të këtyre pronave, pasi paraprakisht hetuesit dyshojnë se pallatet, vila dhe hoteli janë ngritur me paratë e drogës. Informacionet që kanë mbërritur në prokurori flasin se njëri prej pallateve në pronësi të Velikos në qytetin e Vlorës është ngritur pas vitit 2008, kohë në të cilën prokuroria ka regjistruar procedimin penal. Gjithashtu ka dyshime se edhe vila e hoteli janë ngritur pas këtij viti, çka ka ngritur dyshimet se ato mund të kenë prejardhje financiare të dyshimtë nga shteti italian, ku të arrestuarit dyshohet se kryenin trafik narkotikësh.

Dy ditë më parë, Kolegji Penal ka lënë në burg të arrestuarit gjatë operacionit “Ndërtuesi”, Arben Velikon, Latimir Hoxhën, Panajot Dhiamandin, Sokol Kashtën dhe Orges Jahelezin, ndërsa organi i akuzës deklaroi se ka prova për të vërtetuar se këta shtetas, në bashkëpunim me disa të tjerë në Itali, kanë trafikuar dhjetëra kilogramë heroinë. Prokurorët Besnik Muçi dhe Edvin Kondili i paraqitën gjykatës disa nga provat për të arrestuarit, ndërsa kanë saktësuar se hetimet ndaj këtyre shtetasve po përqendrohen edhe në veprën penale të pastrimit të parave. Ka dyshime se të ardhurat nga aktiviteti kriminal i trafikut të narkotikëve në Itali janë investuar në Shqipëri, kryesisht në zona turistike në Vlorë, Fier e Sarandë. Disa prej të arrestuarve kishin aktivitet ndërtimin e pallateve dhe vilave luksoze, ndërsa ka dyshime se në emër të tyre janë qindra mijëra euro llogari bankare, dhe pritet që akuza t’i kërkojë gjykatës sekuestrimin e tyre deri në një vendim tjetër gjyqësor. Nga burimet e akuzës qendrore mësohet se autoritetet italiane, krahas zbardhjes së linjës së trafikut të drogës, kanë kapur edhe disa transferta apo lëvizje të të hollave nga Italia në Shqipëri. Grupi i mirorganizuar kriminal, pasi arrinte të trafikonte dhe të shpërndante lëndën narkotike në Itali, kapitalet i transferonte në atdhe, duke i përdorur për ndërtime shumëkatëshe me vlera miliona USD. Nga përllogaritjet e hetuesve të çështjes ka rezultuar se “Ndërtuesit” mund të kenë një kapital prej 5 milionë USD, të cilat duhet të deklarojnë prejardhjen e tyre në prokurori e gjykatë. Sipas ligjit të ri “Antimafie”, të akuzuarve për trafiqe të ndryshme kriminale dhe pjesëmarrje në organizata kriminale u sekuestrohet pasuria, pasi ka dyshime se ajo është vënë nga një aktivitet i paligjshëm. Më pas, janë vetë të akuzuarit që duhet të deklarojnë prejardhjen, pasi në të kundërt ajo konfiskohet dhe i kalon shtetit. Në rastin konkret, akuza ka bërë gati kërkesat e para drejtuar gjykatës, ku dhjetëra prona në qytetet e Tiranës, Vlorës, Fierit dhe Sarandës rezultojnë në emër të biznesmenëve të arrestuar disa ditë më parë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›