E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë: Nuk ka 20 lekësh fals, është emetim i vitit 2012

20 lekeBanka e Shqipërisë ka sqaruar dje qytetarët se në qarkullim nuk ka monedha 20 lekëshe false, por se bëhet fjalë për një rishtypje të tyre. Në javët e fundit, qytetarët janë shprehur të shqetësuar se kanë hasur në qarkullim monedha 20 lekëshe të falsifikuara. Por Policia e Shtetit dhe Banka e Shqipërisë nuk e pranojnë këtë fakt. Përmes një njoftimi zyrtar, Banka e Shqipërisë ka sqaruar se monedha metalike e re është emetim i vitit 2012, ndaj dhe ka një formë disi ndryshe në dukje, më të re dhe më me shkëlqim. Viti i emetimit është i shënuar në trupin e monedhës së re dhe ky është ndryshimi i parë krahasuar me monedhat e hedhura në qarkullim në vitet 1997 dhe 2001. Ndryshim tjetër në emetimin e këtij viti është ai i lëndës së parë, nga aliazh me përbërje bakri, alumini dhe nikeli, në çelik të veshur. Banka e Shqipërisë sqaron se, duke qenë e sapo prodhuar, monedha e re ka më tepër shkëlqim krahasuar me monedhat e tjera në qarkullim, të cilat nga përdorimi i gjatë dhe nën ndikimin e agjenteve atmosferike kanë zbehur disa nga vetitë e tyre fillestare. Gjithashtu, konturi rrethues i saj është lehtësisht më i gjerë në pjesën e brendshme të saj, pa ndryshuar diametrin apo trashësinë e monedhës. Ky zgjerim i lehtë i konturit rrethues i jep monedhës me tepër kontrast dhe ndihmon gjithashtu në rritjen e jetëgjatësisë së saj. Për sa i takon karakteristikave të tjera, monedha e re ka të njëjtën pamje, ngjyrë, peshë dhe përmasa me monedhën e mëparshme. Banka e Shqipërisë thekson gjithashtu, se referuar statistikave të saj, nga viti 1992 e deri sot, për prerjen e monedhës metalike 20 lekë, me kurs ligjor, nuk ka pasur asnjë rast falsifikimi. Në fakt, falsifikimi i monedhave, aq më tepër të atyre me vlerë të ulët, nuk është një praktikë e përhapur mes keqbërësve. Vlera e ulët nominale e monedhës nuk do të justifikonte koston e falsifikimit dhe rrezikun e konsumimit të një vepre penale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›