Dëmet në buxhet, Cani hetim ish ministrit Bode
Ministri i ri i Financave ka kërkuar hapjen e dosjeve për të gjitha drejtoritë. Për gushtin Qeveria mblodhi nga taksat 35 milionë dollarë më pak.
Të gjitha shpenzimet që kanë bërë të djathtët do të kalojnë nëpër skanerin e ministrit të ri të financave, Shkëlqim Cani. Burime nga Ministria e Financave bën të ditur dje në media se mbi tryezën e punës së ministrit Cani kanë mbërritur dosjet me raportin e çdo drejtorie. Në këtë mënyrë ministri ka kërkuar të njihet më të dhënat e buxhetit, realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve për gjatë gjithë periudhës që kanë qeverisur të djathtët.
Auditi
Gjithashtu të njëjtat burime nga Ministria e Financave, bëjnë me dije se në tryezën e Canit ka mbërritur edhe një dosje me raportin e Drejtorisë së Auditit, të kësaj ministrie, raport ky i kryer gjatë kohës kur ministër ishte Ridvan Bode. Të dhënat e këtij raporti ende s’janë bërë publike, ndërsa ministri i ri po njihet me dëmin e shkaktuar në buxhet. Pas njohjes me situatën e çdo drejtorie, pritet të merren edhe vendime të posaçme nga ministri Cani. Ndërkaq Kontrolli i Lartë i Shtetit mësohet se është duke përpiluar rezultatet e auditimit që ka kryer në Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Tatimeve dhe Doganave, të cilat do të publikohen në një raport të posaçëm.
Dëmet në buxhet
Dëmi ekonomik llogaritet të jetë i lartë, pasi shifrat janë ende në përpunim. E njëjta procedurë pritet të ndiqet edhe në ministritë e linjës, ku çdo ministër po njihet me dosjet e dikastereve që drejtojnë, e më pas do të publikojnë shkeljet e konstatuara gjatë qeverisjes së djathtë. Lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama për auditimin e financave nga një kompani e huaj audituese, burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se për këtë çështje do të diskutohet me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili këto ditë pritet të vij në Tiranë.
Bashkëpunimi me FMN
Ndër të tjera me FMN do të diskutohet edhe për politikat buxhetore që do të ndiqen, kontrolli mbi borxhin dhe politikat fiskale. Po gjatë kësaj vizite do të diskutohet për marrëdhënien që do të mbajë qeveria e majtë me FMN-në, mbi rikthimin ose jo të misionit me një përfaqësi në Tiranë.
Kriza financiare
Ndërkohë kriza financiare e Qeverisë vazhdon të thellohet me ritme të shpejta. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin gusht Qeveria mblodhi nga taksat 35 milionë dollarë më pak se gushti i vitit të kaluar. Rënia është mbi 12 për qind. Shifrat tregojnë se si tetëmujor Qeverisë i mungojnë 163 milionë dollarë nga shuma që kishte parashikuar të mblidhte përmes taksave. Të dhënat tregojnë se Qeveria nuk ka arritur të mbulojë këtë rënie të fortë të të ardhurave nga taksat duke shkurtuar shpenzimet. Edhe pse ka ndalur çdo investim të ri publik, sërish shpenzimet e tjera të buxhetit kanë vazhduar të rriten duke bërë që deficit buxhetor, të kërcejë në 54 miliardë lekë. Për katër muajt e mbetur të vitit përfshirë dhe shtatorin, Qeverisë së re i mbeten vetëm 6.5 miliardë lekë hapësirë defiçiti buxhetor 9 herë më pak se sa ai që ka konsumuar në 8 muajt e parë të vitit qeveria e ikur.