E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e shumëpritur shqiptare në vitin 2010!

Shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht do të kenë bankën e tyre shqiptare, për të cilën kishin ëndërruar gati 18 vite. Storja që po përsëritet nga viti 1992, siç duket po bëhet realitet, pas nismës së disa afaristëve dhe ekonomistëve të njohur shqiptarë nga Maqedonia. Siç njofton ekonomisti Abdylmenaf Bexheti, profesor në Universitetin e Europës Juglindore, banka shqiptare do të jetë gati në fund të vitit 2010. "Në fund të vitit 2010 do të bëhet realitet ky plan, nëse gjërat shkojnë sipas planeve. Aktualisht jemi në rekrutim dhe identifikim të resurseve kadrovike", tha Bexheti. Sipas tij, plani i biznesit për këtë bankë është miratuar dhe tani priten edhe disa çështje tjera të zgjidhen që ëndrra të bëhet realitet. "Plani i biznesit për themelim të një banke, mos të them vetëm shqiptare, por gjermano-shqiptare, me një kapital dhe backgraund gjerman, është miratuar që para një viti dhe tani jemi në kërkim të partneritetit të palës së bankës gjermane për ta realizuar këtë", tha ai.
Problemi më i madh me të cilën po ballafaqohen themeluesit në këtë moment është gjetja e personave të profesionalizuar për hapjen e kësaj banke. "Problemi nuk është aq i thjeshtë sa duket. Para së gjithash ne kemi mungesë të madhe të resurseve njerëzore. Ne kemi një apo dy persona të cilët mund të licencohen, përmbushin kriteret nga pushteti qendror për të menaxhuar një bankë, si drejtori i parë apo i dytë. Duhet minimum që të kesh 7-8 persona që kanë strukturat e ashtuquajtura të menaxhmentit të lartë të bankës", tha Bexheti. Të gjithë personat të cilët do ta drejtojnë një bankë duhet të kenë plotësuar kriteret "Basel 2" që janë standarde ndërkombëtare, të cilat parashohin se duhet të kesh një komitet për menaxhim risku, për menaxhim të likuiditetit, të sistemit informatiko-teknologjik që është specifik për bankat dhe struktura të tjera të auditit etj. Problemi qëndron se për të marrë një licencë duhet të kesh minimumi pesë vjet përvojë në udhëheqje të këtyre institucioneve, e cila mungon te shqiptarët. "Ne kemi persona që kanë njohuri të përgjithshme, por njerëz që kanë profil të caktuar e kemi shumë vështirë të gjejmë. Këto janë parakushte elementare për hapjen e bankës, ndërsa tjetër gjë është obstruksioni që na e ka bërë sistemi. S‘kemi mundur të jemi në poste të ndryshme kur sistemi ka qenë i mbyllur për ne. Kush shqiptar ka mundur të depërtojë në sistem bankar e lëre më të ketë një post udhëheqës", tha Bexheti.
Aktualisht edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) punon në drejtimin e hapjes së një banke dhe gradualisht do të zbutet kjo krizë në aspektin financiar. Përveç pengesave të deritanishme të cilat i ka bërë shteti për hapjen e një banke, ku duhet një garanci prej 5 milionë eurosh, problemi kryesor ka qenë se s‘kanë mundur të bëhen bashkë dy shqiptarë për të grumbulluar kapital dhe për të qenë të një mendimi për aktivitetet e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›