Mjetet e policisë përdoren për arsye personale të shefave
Punonjësit e hetimit të krimeve vuajnë për makina që të realizojnë detyrat e tjera, nga ana tjetër drejtuesit e policisë mbajnë makina në përdorim për probleme personale, në kundërshtim me ligjin e ri. Pak kohë më parë u miratua ligji për përdorimin e makinave, ku u përcaktua qartë se cilat funksioneve u lihej në përdorim mjeti nga shteti. Për sa i përket tabelës ekuivalente, në radhët e policisë, makina i lihet në përdorim vetëm funksionit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Gjithë strukturave të tjera të policisë u hiqej e drejta e mjeteve personale gjatë ushtrimit të profesionit. Por, ndryshe ndodh në realitet. Pavarësisht hyrjes së ligjit, gjatë një vëzhgimi dhe sipas të dhënave të besueshme të policisë rezulton se shumica e funksionarëve të policisë, vazhdojnë të përdorin mjetet në përdorim të kësaj strukture për nevoja personale. Pavarësisht se mjetet janë të regjistruara për shërbime të ndryshme, duke filluar që nga patrulla e përgjithshme, apo për hetimin e krimit, ato nuk përdoren për këto probleme. Gjatë vëzhgimit vihet re se ato përdoren vetëm nga drejtuesit e policisë. Kështu, duke filluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të gjithë oficerët roje e dinë se një mjet i përket një zëvendësdrejtori të përgjithshëm, ndërsa një tjetër një funksioni tjetër, pavarësisht se me ligj nuk i takon asnjërit. I njëjti problem qëndron edhe me shoferët, të cilët janë të regjistruar në struktura të ndryshme dhe kryejnë detyrat e shoferëve për shefat e policisë.