Viti i Ri, shtetasit e huaj po preferojnë Shqipërinë
Fluksi i emigrantëve të kthyer për festat e fundit të vitit vazhdon të rritet nga dita në ditë. Por, bashkë me hyrjen e tyre në Shqipëri, sivjet vërehet një tjetër fenomen, që ka të bëjë me shtetasit e huaj që po vijnë në Shqipëri, si turistë, për të kaluar Vitin e Ri në Shqipëri. Pavarësisht shifrave, që çdo ditë kanë qenë në rritje, vetëm dje, nga ora 08.00 e mëngjesit deri në orën 14.00 kanë hyrë në Shqipëri rreth 1546 shtetas të huaj. Por, nga ana tjetër nuk kanë dalë në shifra të larta si vitet e tjera. Dje, nga Shqipëria kanë ikur 443 shtetas. Pra, mbi 1 mijë të huaj kanë qëndruar në territorin shqiptar. Ky raport ka qenë edhe në ditët e tjera dhe sipas specialistëve pritet të ndryshojë në ditët e para të vitit që vjen. Shifrat e këtij viti janë më të larta në krahasim me vitin që shkoi. Nga shifrat e marra nga kufiri mësohet se nga Korça ka hyrë pjesa më e madhe e shtetaseve të huaj, kur dje janë numëruar 470 veta, ndërkohë që ndiqet nga Durrësi me 359 persona, Shkodra me 189 persona dhe më pas Rinasi, me 142 turistë. Ndërsa nga Gjirokastra dhe Dibra kanë hyrë më pak të huaj në territorin shqiptar. Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit, dje kanë hyrë në territorin tonë 6884 shtetas shqiptarë dhe kanë dalë 2905 veta. Ndërkaq, janë futur 1860 mjete shqiptare dhe 478 mjete të huaja, ndërkohë që kanë dalë 876 mjete shqiptare dhe 202 mjete të huaja. Fluksi sa vjen e rritet, ndërkohë që specialistët e kufirit shpjegojnë se në ditët e para të janarit, gjithë këta persona emigrojnë sërish në vendet ku punojnë.