Demokracia e Re rizgjedh kryetarin
Maqedoni/ Partia Demokracia e Re, në kongresin e saj të parë ka rizgjedhur në krye Imer Selmanin
Në fjalimin e tij para delegatëve, z.Selmani tha se partia e tij do të komunikojë në vazhdimësi me qytetarët, për t‘i bindur ata se opsioni politik i partisë së tij është më i miri për t‘i sjellë vendit prosperitet dhe integrim.
Demokracia e Re është parti opozitare parlamentare me pesë deputetë, e cila drejton edhe një komunë në Maqedoni.
Përfaqësuesit e saj kryesorë, duke përfshirë edhe vetë z.Selmani, e themeluan atë, pasi më shumë se një vit më parë u shkëputën nga PDSH e Menduh Thaçit.
Parti e qendrës së djathtë
Demokracia e Re e z.Imeri thotë se është një forcë politike që i përket qendrës së djathtë.
Kreu i saj, i rizgjedhur në post, kur kandidoi në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, mori një numër votash të konsiderueshme edhe nga elektorati maqedonas.
Suksesi i tij relativ shtroi për herë të parë në Maqedoni pyetjen nëse në vend është e mundur që të votohet për një kandidat pavarësisht nga përkatësia e tij etnike.
Z.Selmani thotë se partia e tij përpiqet që të sjellë një vlerë të re në skenën politike, ku veç të drejtave kolektive, të kthejë fokusin edhe te të drejtat individuale.