E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit, gjatë ditëve të festave në gjendje të përforcuar

Policia e Shtetit siguron se do të jetë në gatishmëri të plotë për të garantuar rend dhe siguri gjatë ditëve festive. Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shprehet se është hartuar një plan masash për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë ditëve të festimit të Vitit të Ri. Përmes këtij plani janë përcaktuar detyra për gjithë strukturat e Policisë së Shtetit, me qëllim krijimin e kushteve optimale për festat e fundvitit, parandalimin e ngjarjeve kriminale apo rasteve aksidentale të dëmtimit të shëndetit e të jetës së komunitetit. "Detyra të veçanta janë përcaktuar për mbajtjen nën kontroll të elementëve me precedentë kriminalë, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e shpejtë dhe në kohë të ngjarjeve kriminale. Po ashtu është kërkuar dhe realizimi i analizave të shpejta dhe vlerësimi i informacioneve për konflikte të mundshme dhe si rezultat i ardhjes së emigrantëve, duke marrë masa me karakter parandalues", shpjegon Policia e Shtetit. Sipas tyre, do të përforcohen edhe shërbimet policore për ruajtjen e sigurimin e objekteve të rëndësishme shtetërore, publike e private. Ndërsa me qëllim planifikimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, do të bashkëpunohet me autoritetet vendore për t‘u njohur me programet apo aktivitetet e festimeve që do të zhvillohen gjatë fundvitit. "Ndërkohë, masa të veçanta do të ndërmerren për parandalimin e përdorimit të fishekzjarrëve të rrezikshme në netët e festave", deklaruan burimet për gjithë të pasionuarit. Krahas masave nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë në Qarqe, punonjësit e Doganave, si dhe struktura të tjera, po punojnë për bllokimin e hyrjes në Shqipëri të fishekzjarrëve të rrezikshme për jetën. Ndër të gjitha këto masa nuk janë harruar edhe shërbimet e policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe mbajtjen nën kontroll të trafikut. Me urdhër të veçantë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, këto shërbime janë shtuar dhe në turnin e natës, ku është planifikuar edhe organizimi i shërbimeve për mbikëqyrjen e rregullimin e trafikut edhe pas orës 24:00 të datës 31 dhjetor. Ndërsa për sigurimin e ndihmës për shtetasit në nevojë, drejtoritë e policisë në qarqe dhe komisariatet e policisë janë porositur të marrin masa për afishimin në vende të dukshme të numrave telefonikë të shërbimeve të sallave operative.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›