Banka nga interneti, shqiptarët xhiruan 92 miliardë lekë
Shqiptarët u përshtaten lehtë tendencave dhe teknologjive të reja. Ata kanë filluar të komunikojnë me bankat tregtare nëpërmjet internetit për të kryer detyrimet ndaj institucioneve që u ofrojnë shërbimet. Transaksionet bankare nëpërmjet internetit kanë arritur në 163 mijë për vitin 2010, me një vlerë prej 92 miliardë lekë, ose e përkthyer në përqindje 2% në volum dhe vlerë kundrejt totalit të pagesave të klientëve. Të dhënat raportohen nga Banka Qendrore, e cila evidenton 11 banka që e ofrojnë shërbimin “Home banking”. Nëpërmjet këtij shërbimi, klientët përfitojnë në distancë përdorimin e llogarive bankare nëpërmjet një linje interneti, telefoni apo software-i, që banka i vë në dispozicion klientit të saj. Klientët e kanë përdorur shërbimin në fjalë sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë në masë të konsiderueshme për pagesën e faturave, duke evituar përdorimin cash. Gjithashtu, nëpërmjet internetit ata evidentojnë llogarinë bankare, mund të blejnë mallra etj. Duke iu referuar statistikave të Bankës Qendrore, përsa i përket shërbimit Home Banking, në vitin 2005 këtë shërbim e ofronte vetëm 1 bankë, edhe më 2006-ën gjithashtu. Ndërsa në vitin 2007 numëroheshin 3 banka nëpërmjet të cilave mund të kryeje pagesa dhe të blije nga shtëpia. Më 2008 këtë shërbim e ofronin 6 banka, në vitin 2009 bankat që e ofronin shërbimin numëroheshin10 të tilla dhe vitin e kaluar 11 banka. Duke bërë një krahasim në vlerë transaksionesh, më 2005 kanë qarkulluar 15,908 mln lekë, më 2009 kanë qarkulluar përmes këtij shërbimi 78,156 milionë lekë dhe më 2010 91,274 mln lekë. Nga ana tjetër me rritjen e shërbimeve bankare on line, janë rritur edhe risqet e abuzimit. Sipas statistikave për vitin 2010, “hajdutët e internetit” kanë abuzuar 3-fish krahasuar me vitin paraardhës, prandaj punonjësit e bankave këshillojnë shpesh që alternativën për të paguar ose blerë nëpërmjet internetit ta përdorin, por të lënë një shumë jo tepër të konsiderueshme sa të abuzohet me të. Duke iu referuar raportit të Bankës Qendrore për vitin 2010, klientët kanë përdorur maksimalisht shërbimin e tërheqjes së parave nga bankomatet (ATM), numri i të cilave është rritur me 4% krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që është zgjeruar rrjeti i POS me një rritje 12%, krahasuar po me fundvitin e kaluar. Nga raportimet e bankave rezulton se pajisjet ATM dhe POS janë vendosur në rajonet e zhvilluara të vendit si dhe në qendrat industriale. Shtrirja më e madhe është në Tiranë, 53% e bankomateve dhe 78% e POS-eve. Megjithëse statistikat tregojnë se përdoruesit e kartave në Shqipëri janë rritur ndjeshëm, po sipas Banks Qendrore, shkalla e përdorimit të tyre është ende e ulët krahasuar me treguesit e vendeve të tjera të rajonit. BSH raporton për vitin 2010 një rritje prej 23% të numrit të kartave në qarkullim, krahasuar me fundvitin e 2009-ës. Sipas statistikave të BSH-së, më 2009 janë përdorur 543 141 karta debiti dhe më 2010 janë përdorur në total 667 548 karta debiti. Përsa i përket kartave të kreditit, më 2009 kanë pasur 23 844 përdorues dhe për 2010-ën kartat e kreditit kanë patur 694 848 përdorues.