Rritet përdorimi i prerjeve të mëdha të lekut
Shqiptarët gjatë vitit 2010 kanë përdorur në masë kartëmonedhën 2000-lekshe. Banka e Shqipërisë ka deklaruar se gjatë vitit që lamë pas pati një rritje të ndjeshme në qarkullim të kartëmonedhës 2000 lekë. Sipas saj, struktura e kartëmonedhës në qarkullim u karakterizua nga një balancim i prerjeve në raport me pakësimin e monedhës në qarkullim, ku përsëri pjesën më të madhe e kanë prerjet e mëdha. Përsa i përket strukturës së monedhës metalike, edhe për 2010-ën, sipas Bankës Qendrore, vazhdoi të orientohet nga një rritje e peshës së prerjeve të mëdha 50 dhe 100 lekë. Një nga faktorët kryesorë, që raporton BSH, që ndikoi në këtë rritje, ishte përdorimi i këtyre monedhave për të zëvendësuar kartëmonedhën e prerjes 100 lekë, e cila u hoq nga qarkullimi më 31 dhjetor 2010. Gjithashtu, duke iu referuar Bankës Qendrore, për një krahasim mes monedhës metalike dhe kartëmonedhës, në fund të 2010-ës, raporti i përgjithshëm midis vlerës së monedhave metalike dhe kartëmonedhave rezultoi më i lartë se vitin e kaluar. Zëvendësimi gradual i kartëmonedhës së prerjes 100 lekë me monedha metalike dhe kërkesat për monedha metalike nga ana e tregtisë me pakicë dhe kryesisht e supermarketeve dhe ipermarketeve të çelura rishtas, ishin faktori kryesor që raporti të ketë një tendencë rritëse, sipas Bankës së Shqipërisë, me gjithë shtimin e dukshëm të kartëmonedhës, sipas saj. Në vitin 2010, BSH raporton për 153 443 328 copë kartëmonedha dhe 116 098 253 copë monedha metalike. Përsa i përket vlerës mesatare të një kartëmonedhe në qarkullim për vitin 2010 rezultoi 1 227 lekë nga 1 063 lekë që ishte në fund të vitit 2009. Ndërsa, duke iu referuar cilësisë së parasë, sipas BSH-së, në zbatim të standardeve bashkëkohore dhe shtimit të shpejtë të numrit të bankomateve të bankave të nivelit të dytë, gjatë 2010-s BSH tërhoqi nga qarkullimi rreth 23,534 mln copë kartëmonedha të papërshtatshme, ku një pjesë e konsiderueshme të sasisë së tërhequr e përbëjnë emisionet e para vitit 1996. Në fund të 2010-ës emisionet e para vitit 1996 në qarkullim zënë vetëm 1% të kartëmonedhës mesatare në qarkullim. Ndërsa kartëmonedhat e reja të hedhura në qarkullim në vitin 2010, përfaqësojnë 15,32% të mesatares totale të kartëmonedhave në qarkullim.