E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat Europiane ne rrezik

Skena e një boshatisje të depozitave duket se do të prek edhe bankat europiane, ku ekziston frika se radhët nëpër sportelet bankare të klientëve për të tërhequr kursimet e tyre, sikurse ndodhi në Greqi mund të përsëritet edhe në vende të tjera periferike të Eurozonës. Në një analizë të së përditshmes amerikane ËSJ theksohet se përballë këtij rreziku disa vende të BE po vlerësojnë miratimin e një plani paneuropian garancish mbi depozitat. Sipas ËSJ ende nuk është e qartë se sa ka avancuar ky plan për të ofruar garancitë mbi depozitat. Sipas analistëve të Citigroup, bankat e Irlandës, Italisë, Portugalisë dhe Spanjës mund të humbasin mes 90 dhe 340 miliardë euro depozita nëse Greqia do të dalë nga Eurozona. Dhe sipas kësaj analize Spanja do të ishte vendi më i goditur me një shifër deri edhe në 130 miliardë euro. Për rrjedhojë një dalje e tillë e euros nga bankat mund të jetë shkatërruese për to, një pjesë e të cilave, ato më të dobëtat mund edhe të falimentojnë, ndërsa bankat më të mëdha do të gjenden sipas hipotezës së ËSJ, me një kredi shumë të shtrënguar dhe do të lirohen nga asetet për të ruajtur fondet. Gjithsesi sipas të përditshmes amerikane kjo katastrofë mund të evitohet nga ndërhyrjet e BQE duke përdorur hua të reja me kosto të ulët. Por në fakt një javë më parë në rastin e Greqisë, BQE ndërpreu furnizmin me kredi për bankat greke. Rasti ishte i ngjashëm edhe për një nga bankat më të mëdha spanjolle Bankia, e cila pas shtetëzimit nga ana e qeverisë, u gjend në vështirësi nga tërheqja e kursimeve të klientëve të saj. Por ministri i Ekonomisë Luis de Guindos ka sqaruar se presidenti i ri i kësaj banke po përgatit një plan për institutin bankar me një kërkesë ndihmash shtesë nga shteti në formën e një injektimi të kapitalit që mund të paraqitet gjatë kësaj jave. Ministri i ekonomisë siguron se Bankia sot është më e fortë se një muaj më parë nga momenti që ka marrë mbështetjen e shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›