Bankat evropiane plan per shtimin e kapitalit

Lajme të mira nga ana e Autoritetit bankar europian. Presidenti i këtijë autoriteti mbikqyrës të bankave europiane është shprehur i kënaqur mbi planet e paraqitura nga institutet bankare të BE për shtimin e kapitalit të tyre me 115 miliardë euro brenda fundit të qershorit. Andrea Enria ka deklaruar se këto programe janë në koherencë të plotë me pritjet e Autoritetit bankar europian. Sipas presidentit Enria, në total planet e bankave europiane kanë përshkruar me detaje qëllimet dhe mënyrat për arritjen e objektivave të tyre. Sipas autoritetit mbikqyrës të instituteve kredituese, këtyre të fundit u është lënë kohë deri në fund të muajit qershor për të shtuar kapitalin bazë të tyre në 9% mbështetur në rregullat e bazelit tre, si një përpjekje për të stabilizuar dhe rikthyer besimin në sektorin bankar europian. Derisa ky objektiv të arrihet Autoriteti ka siguruar se nuk do të ketë një tjetër testim mbi bankat europiane. Stres testet e fundit u kritikuan pasi nuk ishin në gjendje të vërtetonin problemet e vërteta të sektorit bankar në Spanjë i cili ka nevojë për një paketë ndihmash nga Europa deri në 100 miliardë euro. Autoriteti bankar europian ka deklaruar se do të paraqitet një raport i saktë gjatë muajit shtator ndërkohë që stres testet e radhës për bankat e Europës do të vijojnë në vitin 2013.