E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat lajmërojnë lehtësimin e kredisë për shtëpi

SHKRUAN: Blerina Hoxha 25-05-2011 11:13

Bankat në vendin tonë kanë njoftuar lehtësimin e standardeve të kredive për blerjen e banesës. Lajmi është njoftuar nga Banka e Shqipërisë, e cila ka zhvilluar një anketim në bankat e nivelit të dytë, në lidhje me pritjet që kanë për huatë ndaj biznesit dhe individëve. Sipas vlerësimeve të ekspertëve të bankave, standardet e kredisë për individët do të vijojnë të ruajnë pothuajse të njëjtin nivel lehtësimi. Sipas qëllimit të përdorimit, ekspertët presin një lehtësim të mëtejshëm të standardeve për kreditë, me qëllim blerjen e banesës. Për kredinë konsumatore, ekspertët e bankave presin një frenim të shkallës së lehtësimit të standardeve të kredisë. Gjithashtu, pritjet e ekspertëve për kërkesën për kredi të individëve janë pozitive, për tremujorin e dytë të vitit 2011. Ndërkohë që vrojtimi i aktivitetit kreditues për tremujorin e parë të vitit 2011, tregoi se standardet e kredisë vijuan të lehtësohen, si për bizneset, ashtu dhe për individët. Lehtësimi i standardeve është aplikuar vetëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi standardet për kredinë, dhënë korporatave, kanë mbetur të pandryshuara nga tremujori i katërt i vitit 2010. Standardet e aplikuara në kreditë dhënë individëve vijojnë të jenë të lehtësuara, edhe pse në një shkallë më të ulët, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas qëllimit të përdorimit, standardet e kredisë me qëllim financimin e konsumit dhe blerjen e banesës kanë vijuar tendencën lehtësuese, të nisur që prej tremujorit të katërt të vitit 2010. Faktorët me kontributin kryesor në lehtësimin e standardeve të kredisë për bizneset gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, janë konkurrenca në sistemin bankar dhe niveli i likuiditetit të bankës. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar se gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve, si dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, kontribuan në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë për individët. Politika lehtësuese e bankave për kredinë dhënë bizneseve është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së madhësisë së kredisë së miratuar. Frenimi i lehtësimit të standardeve të kredisë për individët është zbatuar kryesisht nëpërmjet uljes së maturitetit maksimal të kredisë, raportit këst ndaj të ardhurave, si dhe rritjes së kërkesës për kolateral. Në tremujorin e parë të vitit 2011, kërkesa e bizneseve ka mbetur pothuaj e pandryshuar nga tremujori i kaluar. Ndërsa kërkesa e individëve për kredi është vlerësuar në rritje nga ekspertët e bankave. Ekspertët e bankave nuk presin lehtësim të mëtejshëm të standardeve të kredisë për bizneset gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011. Standardet e kredisë për individët do të vijojnë të ruajnë pothuajse të njëjtin nivel lehtësimi në tremujorin e ardhshëm. Politika lehtësuese e bankave edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së madhësisë së kredisë së miratuar. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar se gjendja e kredive me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme kontribuan në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë për individët në një shkallë më të lartë, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Gjendja financiare e individëve vijon të kontribuojë negativisht në standardet e kredisë, por në shkallë më të ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›