E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ nis shqyrtimin e 100 ankesave

Ka mbërritur në 100 numri i kërkesave ankimore të paraqitura nga partitë politike, apo kandidatët e pavarur, lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit. Pasi ka mbyllur tabelën përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, KQZ ka rinisur dje shqyrtimin administrativ të ankimimeve të subjekteve të ndryshme zgjedhore. Bëhet fjalë për një listë prej plot 100 çështjesh të regjistruara në protokollin e KQZ-së dhe të cilat kanë kaluar për shqyrtim administrativ. Listë kjo që nuk mund të konsiderohet shteruese, pasi ende në të nuk është bërë pjesë kërkesa e socialistëve për të shpallur të pavlefshme vendimmarrjen e vet KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Shumica e çështjeve ka të bëjë me rezultatet në komuna dhe vetëm pak prej tyre kanë të bëjnë me bashki. Vlen të evidentohet këtu Bashkia Përrenjas, Rrëshen, Lezhë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, ky komision ka marrë në shqyrtim rreth 8 çështje, shumicën e të cilave e ka rrëzuar për mungesë provash dhe faktesh. KQZ ka pranuar dje të vijojë hetimin administrativ për zgjedhjet në Komunën Fshat Memaliaj, për të cilën ka debatuar jo pak. Shkak janë bërë se si pala paditëse që i përkiste mazhorancës së djathtë, ashtu edhe pala e interesuar, pra kandidati fitues i së majtës, paraqitën para KQZ-së tabela rezultatesh origjinale, por me numër firmash të ndryshme komisionerësh. Për këtë arsye, KQZ ka vendosur të thërrasë për të dëshmuar vet KZAZ-në përkatëse. Ndërkohë për komunën Armen të Vlorës, KQZ ka vendosur të marrë në administrim në cilësinë e provës librin e protokollit. Seancat e shqyrtimit të kërkesave ankimore pritet të vijojnë sërish sot, ku janë parashikuar rreth 10 kërkesa të tjera, ndërmjet të cilave me interes nga palët pritet ajo për komunën Poshnje, ku kandidatët janë ndarë për dy vota dhe për të cilën KQZ ka vendosur më parë që të marrë në shqyrtim kutinë e materialeve zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›