Bankat mbyllin 2010 me 60 milionë euro fitim
Fitimi në sektorin bankar gjatë vitit 2010, arriti në vlerën 6.7 miliardë lekë, ose 60 milionë euro, gati dy herë më i lartë se rezultati financiar i vitit 2009. Aktivet e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 990.6 miliardë lekë, duke zënë 94.5% të totalit të aktiveve të sistemit financiar. Pa përfshirë interesat për t’u arkëtuar, kredia u ngjit në nivelin 486.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 21.1 miliardë lekësh ose 4.5% kundrejt fundit të muajit qershor. Rritja vjetore e kredisë vlerësohet në masën 9.1%, ku rreth 7.1 pikë përqindje i takojnë rritjes së kredisë për bizneset. Depozitat e sektorit bankar u ngjitën në nivelin 805 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9.3% kundrejt fundit të muajit qershor dhe prej 17.7% kundrejt një viti më parë. Ecuria e mirë e aktivitetit të sektorit bankar është mbështetur edhe nga mirëfunksionimi i infrastrukturës së sistemeve të pagesave. Aktivet likuide përfaqësuan 26% të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Në nivel sektori, veprimtaria bankare vlerësohet e mirëkapitalizuar, ndonëse treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka zbritur lehtë në nivelin 15.4%. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e rezultatit financiar është mbështetur prej rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe kontrollit më të mirë mbi kostot e veprimtarisë. Megjithatë, rezultati pozitiv financiar ka nevojë të ketë një shpërndarje më të mirë dhe të jetë më i lartë, për të mbështetur më mirë veprimtarinë e sektorit bankar.