Tre pyetësorët që do të plotësohen për cilësinë
Detajohen tre pyetësorët që do të plotësohen për renditjen e universiteteve. Tashmë është ngritur grupi i punës, i përbërë nga ekspertë dhe specialistë të Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Akreditimit, i cili do të jetë përgjegjës për shpërndarjen dhe mbledhjen e pyetësorëve si dhe hedhjen e të dhënave në databazën përkatëse. Ky proces do të zhvillohet deri më 2 maj 2011, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, të cilat kanë pranuar të jenë pjesë e këtij procesi, duke plotësuar formularin e aplikimit të dërguar nga MASH. Specialistët e Agjencisë së Akreditimit sqarojnë se ky proces do të zhvillohet në tri etapa që janë: vizita në universitete; mbledhja e pyetësorëve të universiteteve dhe studentëve; grumbullimi i të dhënave të mbledhura nga pyetësorët në letër. Në fund të këtij procesi, të gjitha të dhënat do të hidhen në databazën qendrore të CHE, e cila në përfundim të tri fazave së bashku me Agjencinë e Akreditimit do të kryejë përpunimin e të dhënave në Gjermani. Aktualisht, procesi i renditjes së universiteteve, që është duke u zhvilluar në vend, pas përshtatjes së indikatorëve për situatën tonë të arsimit të lartë, finalizimit të pyetësorëve dhe përkthimit të tyre në gjuhën shqipe, tashmë është në fazën e dytë, atë të shpërndarjes dhe mbledhjes së pyetësorëve dhe krijimit të databazës që do të përdoret për rankimin e institucioneve të arsimit të lartë. Numri i pyetësorëve që do të plotësohen në këtë fazë është tre, dhe përmbajtja e tyre është fokusuar kryesisht në informacione bazë për institucionet, programet, facilitetet, stafet akademike dhe orientimin e studimeve. Pyetësori i parë është ai i institucionit/universitetit. Ky pyetësor përmban të dhëna të përgjithshme për institucionin dhe plotësohet vetëm nga titullari i institucionit (rektori, presidenti etj.). Plotësimi i tij mund të bëhet në dy formate, në letër ose on-line. Nëse pyetësori do të plotësohet në letër, ai do të shpërndahet vetëm nga grupi që do të vizitojë institucionin, i cili njëkohësisht do të japë edhe udhëzimet përkatëse për plotësim. Nëse pyetësori do të plotësohet on-line, drejtuesit të institucionit do t’i jepet kodi personal dhe adresa elektronike në internet, ku mund të plotësohet pyetësori në versionin elektronik. Pyetësori i dytë është ai i fakulteteve. Ky pyetësor do t’u shpërndahet vetëm fakulteteve që ofrojnë programe studimi në një nga katër fushat e studimit për të cilat do të kryhet procesi i rankimit, që janë: Drejtësi/Juridik; Infermieri/Fizioterapi/ Mami; Shkenca Sociale; Ekonomi-Biznes, dhe që kanë studentë në vitin e dytë dhe të tretë. Formulari përmban të dhëna më të detajuara për fakultetin, për programet e studimit, stafin akademik, mësimdhënien e mësimnxënien, orientimin e studimeve, facilitetet etj, dhe plotësohet vetëm në letër nga drejtuesit e njësisë (dekanët).
Pyetësori i tretë është ai i studentëve që përmban plot 42 pyetjeve të cilave ata duhet t’u përgjigjen për të treguar nivelin e cilësisë dhe të mësimdhënies në universitetin ku studiojnë. Ky pyetësor do t’u shpërndahet studentëve që studiojnë në programe studimi të përfshira në një nga katër fushat e rankimit. Studentët duhet të jenë në vitin e dytë dhe të tretë të ciklit të parë të studimeve (Bachelor). Lista e plotë e studentëve do t’i ofrohet grupit që do të vizitojë universitetin, nga sekretaria mësimore e tij. Grupi i punës ka të drejtën e përzgjedhjes së studentëve sipas kritereve të përcaktuara nga CHE. Pyetësori i studentëve përmban të dhëna kryesisht perceptimi dhe kërkohet mendimi apo opinioni i studentëve për aspekte të përgjithshme e të veçanta që lidhen me universitetin, programin e studimit, facilitetet etj.