E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat nuk i "binden" Fullanit

Autori i Lajmit: red.
Nuk kanë të mbaruar problemet për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili në këtë kohë krize, roli dhe puna e tij, janë shumë të rëndësishme për fatet financiare të vendit. Përveçse i duhet të bindë opinion publik, se sistemi bankar gëzon shëndet të plotë, guvernatorit i krijohen jo pak shqetësime nga drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, të cilët nuk respektojnë rregulloret, vendimet dhe ligjin "Për Bankën e Shqipërisë". Edhe pse Fullani përpiqet ta zbusë "rebelizmin" e bankave, rezultatet e dala nga inspektimet e kryera gjatë vitit 2008, shfaqin një sërë problemesh jo pak serioze për sistemin. Pa dhënë numër të rasteve, bankave dhe pasojave, Banka e Shqipërisë pranon zyrtarisht se janë shkelur 11 rregullore, udhëzime, manuale, si dhe vet ligji "Për bankat", që cilësohet si "kushtetuta" e sistemit financiar në vend. Tre muajt e fundit të vitit 2008 kanë qenë të vështirë për bankat, si pasojë e tërheqjes së depozitave nga klientët, të cilët në rrethana të ndryshme keqinformoheshin për mbarëvajtjen e sistemit financiar. Fillimi i vitit 2009 paraqitet me ndryshe, por Banka e Shqipërisë nuk nguron të thotë se vigjilenca për çdo të papritur është në maksimum. Në këtë situatë, guvernatori Fullani kërkoi nga të 16 bankat informacione të plota ditore dhe javore. Inspektimet u rritën, paralelisht me to edhe mbikëqyrjet e rekomandimet. Rregulloret u forcuan dhe ligji u ndryshua, me qëllim krijimin e imunitetit nga kriza financiare në tregjet e huaja. Pavarësisht të gjitha këtyre masave, si dhe kontaktit të vazhdueshëm, bankat nuk i janë "bindur" plotësisht kreut të Bankës së Shqipërisë. Sipas Fullanit, (referuar Raportit Vjetor 2008), pjesë e kësaj situate i dedikohet rritjes së konkurrencës mes bankave, të cilat, për të qenë të parat, "shkelin" rregullat dhe ligjet.
Shkeljet
Banka e Shqipërisë deklaron se shkeljet e kryera nga bankat nuk kanë dhënë ndikim material në situatën e ekspozimit të rreziqeve. Ligji "Për bankat" nuk është respektuar si duhet. "Shkeljet ndaj ligjit kanë të bëjnë veçanërisht me ekspozimin ndaj personave të lidhur me njëri-tjetrin", thuhet në raportin e inspektimit të kryer gjatë vitit 2008. Sipas BSH-së, shkeljet janë konstatuar për shkak të mosevidentimit të saktë të grupeve të lidhura të biznesit, që në momentin e marrjes së vendimit për mbështetje me kredi. Banka e Shqipërisë nuk jep detaje, por nënkupton faktin se bankat japin kredi duke u nisur nga njohjet, sesa nga kushtet. Të tilla raste quhen "klientë preferencialë", pasi në historikun e tyre janë treguar të rregullt dhe potencialë. Për BSH-në, pak rëndësi ka kjo, sesa kushtet dhe rregullat që duhen respektuar nga bankat. Tjetër shkelje lidhet me rregulloren "Për administrimin e rrezikut të kredisë. Sipas Bankës, niveli i rrezikut të kredimarrësve është shqyrtuar në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa raste është konstatuar respektim jo i drejtë i kësaj rregulloreje, veçanërisht për sa i përket klasifikimit të kredive dhe nivelit të provigjioneve (efekteve nga kursi i këmbimit). Për BSH-në, respektimi i rregullores "Për administrimin e rrezikut të kredisë" ka shumë rëndësi dhe për këtë fakt, çdo ditë kërkon nga bankat të dhënat rreth gjendjes. Rregullorja "Për pozicionet e hapura valutore" përbën një shqetësim tjetër për Bankën e Shqipërisë, pasi në disa raste sporadike evidentohen shkelje, të cilat nuk kanë dhënë efekt të madh negativ, për faktin se masat kanë qenë të shpejta. Të tjera rregullore, si "Për mjaftueshmërinë e kapitalit" apo "Për ekspozimet e mëdha" nuk janë respektuar nga bankat e nivelit të dytë. E para ka të bëjë me shkelje të natyrës teknike dhe formës së interpretimit nga bankat, kurse e dyta lidhet me mungesën e raportimeve dhe raporteve jo të sakta, për shkak të ndryshimeve të shpeshta të rregullores.

Shkeljet e konstatuara

Ligji "Për bankat"
Rregullorja "Për administrimin e rrezikut të kredisë"
Rregullorja "Për pozicionet e hapura valutore"
Rregullorja "Për mjaftueshmërinë e kapitalit"
Rregullorja "Për ekspozimet e mëdha"
Rregullorja "Për veprimtarinë valutore"
Rregullorja "Për parandalimin dhe pastrimin e parave"
Rregullorja "Për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në subjektet e licencuara nga BSH"
Rregullorja "Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike"
Udhëzimi "Për transparencën e operacioneve dhe shërbimeve bankare"
Manuali i Kontabilitetit Bankar
Ky lajm është publikuar: 08/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›