E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat qendrore ulin normat e interesit

Bankat qendrore të disa vendeve vendosën dje të ulin në unison normat e interesit në një përpjekje të bashkërenduar për të reaguar ndaj krizës financiare botërore, me synim ringritjen e tregjeve të rrënuara financiare. Nga Rezerva Federale Amerikane u mësua se që nga dita e djeshme, normat e interesit do të jenë 1.5 për qind nga 2 për qind. Kina, Banka Qendrore Evropiane dhe bankat qendrore të Britanisë, Kanadasë, Suedisë dhe Zvicrës, gjithashtu ulën normat e interesit në një reagim të koordinuar të kërkuar me ngulm nga ekspertët dhe analistët financiarë. Përpara kësaj uljeje normash interesi, tregjet botërore të bursave ishin kredhur në një spirale të rrezikshme fundosjeje, në atë që mund të konsiderohet kriza më e keqe financiare e këtyre 80 vjetëve të fundit. Lajmet për recension ekonomik në nivel global nuk bënë tjetër veçse e përkeqësuan më tej gjendjen.

"Fakti që u detyruam të merrnim një masë të tillë tregon se jemi shumë pranë rënies në humnerë", thotë për rrjetin amerikan CNN Piter Dikson, ekonomist në "Commerzbank" të Londrës. "A do t‘u vijë në ndihmë tregjeve? Nuk mund të thuhet me saktësi për afate të shkurtra kohore". Ulja e normave të interesave të kredive pasoi kërkesat e vazhdueshme për masa të bashkërenduara tw drejtuara nga liderë botërorë dhe ekonomistë, të bëra edhe më të nevojshme pas përpjekjeve të disa bankave qendrore për të injektuar likuiditete nëpër tregjet botërore, për të ndalur krizën e besimit.

"Bankat qendrore më në fund u zgjuan dhe kuptuan peshën e rëndë të kësaj situate", u tha gazetarëve të CNN kreu i departamentit të strategjisë së normave të interesit në bankën "Nomura". "Ky është hap shumë i rëndësishëm për t‘i lënë botës të kuptojë se po përpiqen seriozisht për të rigjetur stabilitetin".

Britania ofroi pompimin e të paktën 87 miliardë dollarëve në bankat e saj kryesore për t‘i ndihmuar që t‘i mbijetojnë krizës. Kryeministri i këtij vendi, Gordon Braun, vërejti se tregu global financiar ka reshtur së funksionuari pasi i gjithë sistemi "u helmua" prej huave e këqija me origjinë nga kolapsi i tregut të pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hong Kongu më parë kishte ndjekur shembullin e Australisë, duke ulur me një pikë të plotë normën e interesit, duke thirrur njëherësh për një politikë veprimi të koordinuar në tregjet financiare. Banka e Japonisë, e cila nuk iu bashkua uljes së normave të interesit, ndërmarrë prej bankave qendrore botërore, bëri me dije se po kërkonte rrugët për të përmirësuar operacionet në këtë treg, duke dhënë edhe vetë kontributin e saj për stabilizimin e tregjeve financiare.

Ulja e normave të interesit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës: nga 2% në 1.5%

Kanadaja: nga 3% në 2.5%

Banka Qendrore Evropiane: nga 5% në 4.5%

Anglia: nga 5% në 4.5%

Zvicra: nga 2.75% në 2.25%

Suedia: nga 5% në 4.25%

Kina: nga 7.24% në 6.93%

Hong Kongu: nga 3.5% në 2.5%

Japonia: në 0.5%



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›