E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat rrezikojnë bursat evropiane

Aksionet evropiane u tërhoqën të enjten, me në krye bankat, pasi investitorët u bënë më të kujdesshëm, pas publikimit të rezymesë së takimit të qershorit të Rezervës Federale amerikane, ku zyrtarët kanë shprehur shqetësim mbi ritmin e

mëkëmbjes ekonomike. Zyrtarët e Rezervës mendojnë se duhet të jenë të gatshëm të marrin në shqyrtim masa të tjera shtesë, për të shtyrë përpara ekonominë amerikane, në rast të dobësimit të mëtejshëm të saj, për të cilën ata kanë dhënë tashmë një parashikim tepër të kujdesshëm. Indeksi panevropian FTSEurofirst 300 i aksioneve kryesore u rrëzua 0,2% në kuotën 1.042,77 pikë. Ky indeks e mbylli një ditë më parë sesionin pothuaj i pandryshuar, pas gjashtë sesionesh rresht me fitime. Stoqet financiare ishin mes humbësve më të mëdhenj, me indeksin bankar Stoxx Europe 600 që ra 1,1%. Barclays, BNP Paribas dhe Societe Generale humbën nga 1,7 në 2,3%.

Bursat amerikane mbyllen me humbje
Stoqet amerikane e thyen të mërkurën vazhdën 6-ditore të fitimeve. Indeksi S&P 500 përfundoi për një fije në territor negativ, pasi Rezerva Federale sugjeroi se nevojiten masa shtesë për të luftuar dobësimin e ekonomisë. Rënia u kufizua nga optimizmi për startin e sezonit të fitimeve, pasi kompania Intel raportoi rezultate më të mira nga sa priteshin, nisur prej shenjave për rikthim të shpenzimeve korporative. Aksionet e Intel-it u rritën 1,7%, çka i ndihmoi indekset Dow Jones dhe Nasdaq ta mbyllin pozitivisht ditën. Rezymeja e takimit të Rezervës në qershor tregoi se zyrtarët janë më tepër të shqetësuar për ritmin e mëkëmbjes ekonomike. Kësaj iu shtua trazimit që shkaktoi publikimi i një raporti të dobët për shitjet me pakicë në muajin qershor. Indeksi mesatar industrial Dow Jones përfundoi lart 0,04%, indeksi S&P 500 humbi 0,02%.

Nafta bie nën 77 dollarë për fuçi
Nafta ra ditën e dytë rresht të enjten, poshtë 77 dollarëve, pas ngadalësimit të rritjes ekonomike në Kinë në tremujorin e dytë rezymesë së Rezervës Federale amerikane, e cila riktheu shqetësimet mbi mëkëmbjen ekonomike të këtij vendi. PBB vjetor në Kinë, ekonomia e dytë më e madhe konsumatore në botë, u moderua në 10,3% në tremujorin e dytë, nga 11,9% që ishte në të parin, pak më poshtë parashikimeve për një rritje prej 10,5%. Parablerjet e naftës bruto amerikane ranë deri me 54 centë në 76,5 dollarë për fuçi, e më vonë e morën pak veten dhe shënuan një rënie me 42 centë në 76,62 dollarë.
Nafta Brent e Londrës ra 34 centë në 76,43 dollarë për fuçi. Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë, në raportin e vet të publikuar të mërkurën, thotë se javën e kaluar depozitat e naftës ranë 5 milion fuçi, ndërsa importet dhe kërkesa e rafinerive u rrit.

Last Updated on E Enjte, 15 Korrik 2010 18:56

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›