E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat rrisin tarifën e mirëmbajtjes së kartave, 193 mijë klientë i dorëzojnë

Kostot e tepërta të komisioneve rrisin numrin e dorëzimit të kartave elektronike. Në Shqipëri ishin në përdorim rreth 514 mijë karta debiti dhe 27 mijë karta krediti

Ervin KOÇI

Vendosja e komisioneve nga bankat private për mirëmbajtjen e sistemit të kartave të debitit dhe kreditit ka sjellë një efekt negativ të papritur nga ana e klientëve të tyre. Presioni i vazhdueshëm për të paguar për kartat elektronike të bankave edhe kur nuk përdoren i ka detyruar klientët që t‘i kthejnë ato në një masë të konsiderueshme. Sipas Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, nga janari deri në shtator 2009, plot 193 mijë karta krediti dhe debiti janë kthyer mbrapsht nga klientët. Shoqata e Bankave thotë se, numri i kartave bankare në qarkullim u ul në mënyrë drastike me më shumë se një të tretën. Deri në fund të shtatorit në Shqipëri kishte 514 mijë karta debiti dhe 27 mijë karta krediti, ndërkohë që në shtator 2008 qenë 718 mijë karta debiti dhe 17 mijë karta krediti. Rënia në bazë vjetore ishte rreth 27 për qind, ku fluksi më i madh i dorëzimit të kartave u shënua në muajt e parë të këtij viti.

Gabimi

Pasi tërhoqën një numër të madh shqiptarësh drejt produkteve të veta, duke reklamuar emetim kartash bankare pa komisione, shumica dërrmuese e bankave vendosën vitin e kaluar një komision mujor prej mesatarisht 100-150 lekësh për kartën dhe 100 lekë të tjerë për mirëmbajtjen e llogarisë rrjedhëse. Nën stresin e rënies së fitimeve si pasojë e krizës, disa prej bankave i dyfishuan komisionet mujore dhe në shumë raste nuk e morën mundimin as t‘i informonin klientët për këtë ndryshim. Tendenca e rënies së përdorimit të kartave bankare ka filluar që nga mesi i vitit 2008. Sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë, shumica dërrmuese e transaksioneve me karta përbëhet nga tërheqja e parave në bankomat, ndërsa përdorimi i kartave për pagesa në terminalet e shitjeve “POS” zë më pak se 2 për qind të totalit të veprimeve.

Mospërdorimi

Në dhjetor të vitit 2008, numri i kartave në qarkullim ishte 735 mijë karta bankare gjithsej, nga të cilat 718 mijë qenë karta debiti, ndërsa 17 mijë kishin funksione krediti. Në fund të marsit 2009, numri i kartave në total ra në 520 mijë. Pasi premtuan shërbime bankare bazë pa kosto në vitet 2000, rritja e biznesit të furnizuar me mekanizma ligjorë nga qeveria i shtyu bankat të vendosin komisione apo t‘i rrisin ato. Sot të gjitha bankat zbatojnë komisione bankare më vete për llogari rrjedhëse dhe për kartë bankomati. Kalimi i pagave të sektorit publik përmes bankave, si dhe urdhri për kryerjen e të gjitha pagesave të biznesit me urdhërxhirim, ka majmur të ardhurat e bankave nga komisionet për shërbime. Kjo gjë solli edhe rritjen e shpejtë të numrit të kartave të debitit në qarkullim në Shqipëri, karta që më së shumti kanë funksionuar vetëm për tërheqjen e parave në bankomate. Numri i dyqaneve që pranojnë pagesa me kartë është shumë i vogël, ndërkohë që kartat që qarkullojnë në Shqipëri në shumicë dërrmuese nuk mund të përdoren për pagesa në internet. Për pasojë, shumë shqiptarë nuk po e ndiejnë më të nevojshme mbajtjen e një karte bankare dhe pagesën e komisioneve mujore për të. Nën stresin e humbjes së klientëve, shumë banka po ushtrojnë presion kundrejt punonjësve për të thithur klientë në rinj.

BSH: Paraja kesh në qarkullim, shumë e lartë

Sipas statistikave të BSH-së, shqiptarët vazhdojnë të përdorin akoma paranë kesh (në dorë) në nivele tepër të larta, duke bërë veprime të ndryshme pikërisht në mënyrë më primitive. Sipas të dhënave nga bilanci i BSH-së, kartëmonedha me vlerë 1000 lekë duket se është më e preferuara e shqiptarëve. Gjatë vitit të kaluar (2008), në Shqipëri qarkulluan 84 milionë copë kartëmonedha 1 mijë lekëshe, me një rritje 22 për qind kundrejt vitit 2007. Kartëmonedha e dytë më e përdorur ishte ajo 500 lekëshe. Shqiptarët qarkulluan nëpër duar 62 milionë copë kartëmonedha të tilla gjatë vitit 2008, nga 53 milionë njësi që patën qarkulluar në vitin 2007. Kartëmonedha e re 2 mijë (2000) lekëshe, e cila u hodh në qarkullim në fund të vitit të kaluar, gjeti një përdorim shumë të kufizuar. Statistikat tregojnë se vetëm 502 mijë copë të tilla (2000 lekësha) janë përdorur nga qytetarët. Gjithsej, në Shqipëri, qarkullojnë 183 milionë kartëmonedha fizike. Vlera e tyre e përgjithshme financiare është 203.7 miliardë lekë, (rreth 1.63 miliardë euro). Paraja fizike në qarkullim është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar bën të ditur BSH-ja, kjo për shkak se një pjesë e qytetarëve tërhoqën përkohësisht depozitat e tyre në bankat private prej frikës nga kriza ekonomike.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›