Korçë, mbeten stok prodhimet bujqësore të fermerëve
Tonelata me prodhime bujqësore të kultivuara në zonën juglindore të vendit nga fermerët kanë mbetur stok pa mundur të gjejnë një treg shitjeje. Fermerët e zonës së Korçës dhe Devollit pretendojnë se i gjithë prodhimi i këtij viti ka mbetur pa u shitur dhe kjo për shkak të konkurrencës që vjen nga importi i prodhimeve bujqësore nga Maqedonia dhe Kosova. Bëhet fjalë për tonelata me patate, qepë dhe mollë, të cilat gjatë një viti kanë zënë edhe pjesën më të madhe të të mbjellave të fermerëve. Në Fushën e Maliqit, fermerët ankohen për grurin ende të pashitur, ndërkohë që në fshatrat e tjerë të fushës së Korçës kanë mbetur nëpër magazina patatet dhe mollët. Mijëra fermerë kanë pretendime lidhur me mungesën e politikave favorizuese ndaj tyre për shitjen e prodhimit. Grupe fermerësh kanë drejtuar ankesa pranë Drejtorisë së Bujqësisë, por sipas tyre, nuk ka asnjë përgjigje, ndërkohë që rregullisht nga ana e një projekti iu bëhen të ditura çmimet e prodhimeve në tregun vendas nëpërmjet mesazheve telefonike. Në zonën e Devollit, që njihet për kultivimin e mollës dhe qepëve, këto të fundit po kalben nga lagështira pa mundur të sigurojnë ende një treg shitjeje. Ankesat kanë ardhur nga fermerë të zonës së Libonikut, Drithasit, Sheqerasit, Zvirinës, por edhe nga zona e Mirasit dhe një sërë fshatrash të tjerë, që kanë vënë alarmin për dëmtimin e prodhimeve për shkak të mungesës së tregut. Fermerët e zonës juglindore thonë se importi nga jashtë i këtyre prodhimeve, që janë me shumicë në vend, ka çuar në dominimin e tregut nga produkte të importit, ndërkohë që kanë dështuar edhe përpjekjet për të bërë një grumbullim të prodhimit me një çmim më të ulët për t‘i kaluar me shumicë në tregun e Korçës dhe të qyteteve të tjera. "Kam 3 tonë patate, të cilat më kanë mbetur në magazinë dhe po kalben. Nuk ka asnjë mundësi për të çarë në treg, pasi konkurrohemi nga prodhimet që vijnë nga jashtë. Patatet i kemi ulur deri në 10-15 lekë për kilogram dhe ende nuk po mundim t‘i shesim. Po kështu edhe mollët në fshatin tonë kanë mbetur nëpër magazina", thotë Ligor Kolvani nga fshati Zvirinë. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Libonikut, Petrit Kupe, thotë se edhe në zonën e tij gruri ka mbetur stok dhe fermerët e kanë depozituar në ambiente ku nuk mund të rezistojë gjatë. "Ka më shumë se një vit që gruri i fermerëve të kësaj zone mbetet stok. Çdo ditë ka ankesa nga ana e tyre se nuk mundin të sigurojnë treg dhe e vetmja shitje sigurohet me furrat e bukës. Pjesa tjetër mbahet nëpër banesa ose poshtë pallateve", tregon Kupe. Që nga mollët e varieteteve të ndryshme, patatet, gruri etj., kanë mbetur nëpër magazina, ndërsa nuk ka asnjë grumbullim apo organizimin për menaxhimin e prodhimit me qëllim që të gjendet dhe të sigurohet tregu i shitjes. Sipas fermerëve, dëmet janë të mëdha, pasi nga mungesa e tregut, shërbimet e një viti ndaj tokës kanë shkuar dëm, në një situatë kur edhe një pjesë e madhe e tokave të mbjella janë dëmtuar për shkak të farave të skaduara ose atyre false. Edhe Komuna e Mirasit është përfshirë nga kjo krizë e tregut. Pak ditë më parë, kreu i kësaj komune tha se banorëve po u kalben qepët nëpër banesa nga lagështia e madhe dhe rrezikohet që të mos ketë asnjë shitje pavarësisht nga ulja e çmimit.