E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, edhe tre parqe të tjera industriale



Berisha prezanton projektin e parkut të Durrësit

“Shndërrohet në zonat më të fuqishme të rajonit”

Qeveria merr përsipër ndërtimin e një parku të madh industrial dhe energjitik për rajonin. Bëhet fjalë për projektin e parkut të Durrësit që sipas Kryeministrit Sali Berisha do të shndërrohet në zonat më të fuqishme industriale në të gjithë rajonin tonë. Pas Durrësit, qeveria ka gati dhe dy projekte të tjera, atë të Elbasanit dhe të Shkodrës. Kryeministri Berisha u prezantoi dje investitorëve të huaj, qytetin e Durrësit si vendi më ideal për ndërtimin e një parku industrial. Për këtë park, deri tani kanë shprehur interes 20 kompani të huaja. “Cilido që vështron vendndodhjen e parkut industrial të Durrësit gjen një nga sitet më të përshtatshme në mbarë rajonin tonë për investime. Ai është një vend i rrethuar me infrastrukturë moderne, në një anë me portin më të madh të vendit, në anën tjetër me aeroportin, ngjitur me të ndodhet nëncentrali elektrik, ndërkohë vetëm pak minuta distancë hekurudha do të shkojë deri në zonë, korridori Durrës-Prishtinë e më tutje, krahu i punës më i leverdishmi në Evropë”, - deklaroi z. Berisha. Gjatë takimit të djeshëm me investitorë të huaj në një konferencë të organizuar nga Agjencia për Nxitjen e Investimeve, Berisha bëri të ditur se zona ku do të ngrihet ky park është shumë atraktive, pasi bëhet fjalë për një hapësirë 850 hektarë që ndodhet afër me portin, aeroportin, linjën hekurudhore dhe zonën industriale Tiranë-Durrës. “Në qoftë se vendndodhja do të vlerësohej me pikë më lejoni t’ju them se ky park nuk do të vlerësohet tjetër veçse me 100 pikë”, - tha Kryeministri Berisha. Për parkun industrial të Durrësit kanë shprehur deri tani interes 20 kompani të huaja. Pas Durrësit, do të vijohet me ngritjen e parqeve industriale në Elbasan dhe Shkodër. Kryeministri Berisha bëri të ditur para investitorëve se po punohet për përmirësimin e klimës për biznesin, kryesisht në drejtim të eliminimit të burokracive. Krahas vendndodhjes së zonës industriale, Kryeministri vlerësoi si faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe të investimeve ekzistencën e një kuadri të favorshëm fiskal dhe kushteve të përshtatshme që ofron Shqipëria. Sipas Kryeministrit, Shqipëria ka stabilitet makroekonomik të admirueshëm, rritje ekonomike mbi 6 për qind, inflacion plotësisht nën kontroll, muajin e kaluar ishte 4.2 për qind, me tendencë rënie, në një kohë kur era është inflacioniste, po ashtu me një monedhë që është ndër më të qëndrueshmet në rajon, me një kurs këmbimi më të favorshmin që ka pasur ndonjëherë në dy dekadat e fundit, me një sistem bankar qartësisht të zhvilluar, që po rrit me shpejtësi ritmin e kreditimit të ekonomisë”.

Zona industriale në Durrës, 35 vjet biznes me kosto 1 euro

Do të ketë infrastrukturë të siguruar, akses të kënaqshëm në port, aeroport, hekurudhë, rrjet rrugor etj.; do të ketë titull të pastër të pronësisë, forcë punëtore të kualifikuar dhe mjaft konkurruese në koston e saj. Të gjitha këto lehtësi i ofrohen zonës industriale, në Spitallë të Durrësit, projekti i së cilës u miratua pak ditë më parë në qeveri.

Këto lehtësi do të afrohen për një periudhë 35-vjeçare, ku do të zhvillohen të gjitha llojet e aktiviteteve dhe të gjitha këto do të ofrohen me 1 euro për 35 vjet. Në konferencën e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare për Nxitjen e Investimeve (Albinvest) dhe me mbështetje të GTZ-së, merrnin pjesë Kryeministri Sali Berisha, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, përfaqësues nga mbi 70 kompani të huaja të tregut të pasurive të paluajtshme, të kompanive të mëdha prodhuese, të ndërtimeve etj. Për ministrin e METE-s, Genc Ruli, "Projekti i Parkut Industrial te Spitallës është më i rëndësishmi për qeverinë shqiptare, jo thjesht për sipërfaqen e madhe, prej 850 ha, por sepse pozicionimi gjeografik, projektet e tjera madhore të infrastrukturës të lidhura me të, e bëjnë projektin mjaft tërheqës dhe ekonomikisht të qëndrueshëm. Ruli tha se në këtë projekt parashikohet të hapen rreth 30 mijë vende të reja pune. Për ministrin Ruli, përveç paraqitjes së projektit të Spitallës, mbetet e rëndësishme dhe marrja e vlerësimeve dhe opinioneve nga zhvilluesit potencialë të parkut, për të përgatitur përfundimisht dhe një dokumentacion, që të reflektojë modelet më të mira të partnershipit Publik-Privat (PPP), për të qenë e suksesshme në këtë sipërmarrje. Për parqet industriale janë në dispozicion kuadri ligjor Ligji i Koncensioneve, ai "Për zonat ekonomike", që bazohen në praktikat më të mira të PPP-ve sot në botë, - tha mes të tjerave, Ruli.

BOX

Zona industriale e Spitallës, 850 hektarë në dispozicion të bizneseve

Projekti i plotë i zonës së lirë industriale, që është planifikuar të hapet në Spitallë të Durrësit, ka një sipërfaqe 850 hektarë dhe infrastrukturë moderne e lehtësuese për bizneset. Një numër kompanish të mëdha kanë shprehur interes për ngritjen e këtij parku.

Kjo zonë ndodhet pranë rrugës Tiranë-Durrës, ku banon rreth 50% e popullsisë aktive, numri më i lartë dhe i kualifikuar i forcës për punë dhe ku kryejnë aktivitet rreth 70% e bizneseve. Ngritja e zonës së lirë industriale në Spitallë favorizon investimet e huaja edhe nga afërsia që ka me portin detar të Durrësit, aeroportin "Nënë Tereza", si dhe nga prania e rrugës Durrës-Prishtinë, që lidh Shqipërinë me Korridorin e Veriut të Evropës.

Në konferencë u paraqit strategjia e qeverisë për zhvillimin e parqeve industriale, mundësitë për investime, lehtësirat ligjore, fiskale, të infrastrukturës etj. të cilat pritet të lehtësojnë investimet e huaja në Shqipëri. Ekspertë të GTZ-së paraqitën modelet më të mira dhe përvojat botërore në zhvillimin e parqeve industriale.

Amerikanët e ARMO-s: S’do të largojmë asnjë punonjës nga puna

Punonjësit e shoqërisë shqiptare të naftës, ARMO, që tashmë pritet të kenë pronarë amerikanët nuk rrezikojnë vendin e punës. Askush prej tyre nuk do të largohet nga puna, madje do të kenë edhe rritje pagash. Garancia vjen nga drejtuesit e konsorciumit amerikan "Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group", të cilët në një konferencë shtypi kanë siguruar punonjësit për vendet e punës. Konsorciumi amerikan fitoi pikët më të larta të vlerësimit prej 93,14 pikë për blerjen e 85% të aksioneve shtetërore të ARMO-s. Ata dhanë të martën të parën konferencë për median në hotel "Rogner". Drejtori i përgjithshëm i sapoemëruar nga ky konsorcium, për të drejtuar pas privatizimit kompaninë ARMO, biznesmeni Rezart Taçi, u shpreh se "nuk do të ketë asnjë largim nga puna për punonjësit e kompanisë ARMO, dhe për shkak të shkallës së investimeve që do të bëhen, do të ketë punësime të reja në staf dhe punonjës".

Gjithashtu, Taçi u shpreh se "që në muajin e parë të punës nga ne, do të ketë rritje 30% të pagave për të gjithë punonjësit". Lidhur me çmimin prej 125 milionë eurosh që konsorciumi amerikan ofroi për të blerë 85% të aksioneve të kompanisë ARMO, Taçi u shpreh se "çmimi që u ofrua, është një çmim kredibiliteti për tregun shqiptar dhe nuk është asnjëherë shumë, kur mendoj edhe si shqiptar, se ai do të shkojë për investime të reja në shkolla, në infrastrukturë, për Shqipërinë". Sipas Taçit, "kjo shumë do të derdhet brenda 24 orëve në buxhetin e shtetit shqiptar, që nga momenti kur Kuvendi të ratifikojë kontratën e shitjes së 85% të aksioneve të ARMO-s". Taçi premtoi vendosjen e çmimit tavan për karburantet, pasi konsorciumi do të kërkojë që të përpunojë në rafineritë e ARMO-s, të gjithë naftën e nxjerrë nga nëntoka shqiptare. Në konferencë, tre presidentët, ai i "Refinery Associates of Teksas", Joseph Desormeaux, zëvendëspresidenti i kompanisë "Mercuria Energy Group", David Ensor, presidenti i "Anika Enterprises" Rezart Taçi, falënderuan dhe vlerësuan në maksimum qeverinë shqiptare për procesin e tenderit tepër transparent dhe të drejtë. Drejtuesit e konsorciumit amerikan tashmë janë në pritje të nisjes së negociatave me qeverinë shqiptare për kontratën përfundimtare, ratifikimin nga Kuvendi të saj, si dhe janë të gatshëm për të nisur punën në kompaninë ARMO.

Tirana, nesër kufizim të energjisë

Për shkak të avarisë së ndodhur ditën e hënë, në linjën e interkonjeksionit 400 kv Shqipëri-Greqi, i cili nxori jashtë sistemit këtë linjë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, për të ruajtur sigurinë e linjave dhe një furnizim pa ndërprerje të popullatës, vendosi që remontin e planifikuar për ditën e martë të linjës 220 Koman-Elbasan, ta kryejë ditën e mërkurë. Për këtë arsye, OST sh.a. bën të ditur se ditën e mërkurë dt. 11. 6. 2008 të kalojë në remont të planifikuar linjën 220 Kv Koman-Elbasan .

Nga dalja në remont e kësaj linje, do të stakohet nënstacioni i Sharrës, i cili furnizohet nga kjo linjë. OST sh.a njofton se stakimi do të bëhet nga ora 08:30 deri në 14:30. Për këtë arsye do të ketë kufizime të energjisë elektrike në zonën e Tiranës së Re, Selitës dhe Bllokut. Ndërsa zona e Kombinatit dhe Ndroqit në këtë orar, do të këtë mungesë totale të energjisë elektrike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›