E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat të kreditojnë ekonominë

14/10/2009  Zhvillohet Forumi i Tretë i sistemit bankar. Politika të vlerësojë situatën ekonomike

Apeli i Guvernatorit Fullani: Ekonomia rrezikon të hyjë në rreth vicioz

Bankat dhe e gjithë ekonomia rrezikon të hyjë në një rreth vicioz për shkak të uljes së ritmit të dhënies së kredive. Mesazhin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e ka dhënë gjatë punimeve të Forumit të Tretë të Hapur të sistemit bankar shqiptar. Sfida më e madhe për sistemin bankar mbetet ajo që Guvernatori e quajti “kapitali i besimit të publikut”. Sipas Fullanit, rritja e besueshmërisë në publik do ta sjellë mobilizim efektiv të të gjithë burimeve financiare për ekonominë.

Rreziku

Rënia e investimeve dhe pjesërisht e konsumit është reflektuar edhe në ulje të kërkesës për kredi. “Po konstatohet një ndërvarësi komplekse midis rritjes ekonomike dhe shëndetit financiar të bankave. Rritja e primeve të rrezikut ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, duke i kushtuar një vëmendje në rritje treguesve të likuiditetit. Si rezultat, gatishmëria juaj për të kredituar ekonominë me fonde, ka renë. Banka e Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton në një ngadalësim ekonomik të zgjatur që, për shkak te lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat”, - theksoi Fullani. Guvernatori ka bërë apel drejtuesve të bankave të nivelit të dytë, që të vijojnë kreditimin e kujdesshëm të ekonomisë. “Ne mendojmë se kjo situatë kërkon veprime kundërciklike në nivel të përgjithshëm. Në praktikë, sektori bankar duhet të ushtrojë rolin që ka në nxitjen dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik, padyshim me kujdesin e nevojshëm. Ky sistem është gjeneratori dhe kontrollori i ekonomisë së tregut”, - tha Fullani. Mes të tjerash ai kërkoi edhe nga politika të vlerësojë situatën ekonomike me më shumë seriozitet. Prioritet i institucionit qendror bankar sipas Guvernatorit do të jetë forcimi i mekanizmave financiar dhe zhvillimi i veprimtarisë bankare konform pritshmërisë për të ardhmen.

Këshillat

Industria bankare, sipas Guvernatorit duhet të realizojë një rishikim të strategjive të rritjes së veprimtarisë bankare, duke njohur dhe administruar në mënyrë efektive rreziqet e veprimtarisë. “Të gjitha këto kërkojnë forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, stimulimin e strukturave që vlerësojnë dhe administrojnë rreziqet e veprimtarisë dhe në përgjithësi, rritjen e profesionalizmit në personelin e bankave, si edhe vendosjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me depozituesit dhe përfituesit e tjerë të shërbimeve bankare nëpërmjet rritjes së transparencës”, - tha Fullani. Mes çështjeje që kërkojnë vëmendje të veçantë Guvernatori përmendi vendosjen e parametrave që sigurojnë një ekuilibër më të mirë midis ecurisë së mjeteve me rrezik të sektorit bankar dhe burimeve të financimit, për sa i takon llojit të monedhës, afatit të maturimit, normës së interesit, si dhe përcaktimi i vëllimeve dhe karakteristikave të caktuara të mjeteve të veprimtarisë së bankave, që mundësojnë ruajtjen e niveleve të kënaqshme të likuiditetit. Ajo që nevojitet sipas tij është identifikimi i mekanizmave të caktuar që do të zbusnin ciklikalitetin në veprimtarinë bankare, veçanërisht në kushtet e rritjes së shpejtë të veprimtarisë bankare, ose në rastet e tkurrjes së ndjeshme të saj, apo forcimi i kërkesave për administrimin e situatave të jashtëzakonshme dhe vazhdimësinë e biznesit, përmirësimi i strukturave të drejtimit, të llogaridhënies dhe të vlerësimit të performancës, si dhe rritja e efektivitetit të shpenzimeve që shkojnë për trajnimin, stimulimin financiar dhe fuqizimin e burimeve njerëzore. Një tjetër kusht i domosdoshëm mbetet edhe forcimi i mëtejshëm i kërkesave për transparencë ndaj klientit, si edhe fuqizimi i kuadrit rregullativ për mbrojtjen e tij nga praktikat e mundshme abuzive të sistemit financiar.

Kriza

Balancat ekonomike dhe financiare të parakrizës, sipas Fullanit, me shumë gjasa do të zhvendosen në një ekuilibër të ri. “Kjo përbën thelbin e kontributit tonë në të ardhmen: të bëjmë të mundur që lëvizja e ekonomisë drejt këtij ekuilibri të ri të jetë sa më e natyrshme. Të gjithë institucionet, politikëbërësit, administratorët duhet të angazhohen seriozisht në ndërtimin e këtij shtrati të ri për ekonominë tonë në mënyrë që në kalimin e viteve ajo të jetë tërheqëse, konkurruese dhe fitimprurëse për çdo agjent ekonomik, vendas apo i huaj”, tha ai.

Masat

Forcimi i standardeve të raportimit financiar, saktësimi dhe përmirësimi i zbatimit të kërkesave ligjore për zhvillimin e marrëdhënieve të një biznesi apo mbrojtja më e mirë e të drejtave të kreditoreve e të konsumatorëve të institucioneve e të produkteve financiare janë disa nga masat që do të zgjeronin burimet e financimit për zhvillimin ekonomik, duke ulur relativisht në këtë mënyrë varësinë e tij prej sektorit bankar. Gjithashtu, sipas Fullanit, autoritetet publike duhet të rishikojnë kuadrin e masave për përballimin e situatave të jashtëzakonshme financiare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›