Fullani: Kreditimi po ngadalëson ekonominë
Guvernatori i Bankës kërkon nga bankat të japin më shumë kredi për t'i dhënë frymëmarrje ekonomisë në vend
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë paralajmëron një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të vendit nëse bankat do të ndjekin ritmet e tanishme për sa i përket kreditimit. Në fjalën e mbajtur gjatë forumit të BSH-së me banka të nivelit të dytë, Fullani vuri theksin tek rëndësia jetike që mbart kreditimi për ekonominë e një vendi.
Po ashtu, kreu i BSH-së theksoi se është e domosdoshme që rritja e ritmeve të kreditimit të pasohet nga një administrim sa më i mirë i rrezikut nga bankat për shmangien e çfarëdolloj problemi në këtë sistem.
"Situata e përjetuar me likuiditetin, si edhe efektet e krizës ndërkombëtare mbi sektorin real të ekonomisë, kane sjellë uljen e theksuar të ritmit të kreditimit dhe kanë ndikuar negativisht ne cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Për këtë arsye rezultati financiar i sektorit, ndonëse më i ulët se ai në vitin 2008, vazhdon të jetë pozitiv. Në fakt, po konstatohet një ndërvarësi komplekse midis rritjes ekonomike dhe shëndetit financiar të bankave.
Rënia e investimeve dhe pjesërisht e konsumit në ekonomi, është reflektuar në ulje të kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, rritja e primeve të rrezikut ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, duke i kushtuar një vëmendje në rritje treguesve të likuiditetit.
Si rezultat, gatishmëria juaj për të kredituar ekonominë me fonde, ka rënë. Banka e Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton ne një ngadalësim ekonomik të zgjatur që, për shkak te lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat", - tha ai.
Me gjithë thirrjen ndaj bankave për rritjen e kreditimit, Fullani theksoi faktin se tashmë është kaluar çdo vështirësi e shfaqur gjatë tremujorit të tretë të vitit të shkuar i cili u shoqërua me tërheqje të konsiderueshme të depozitave. "Statistikat tregojnë se niveli i depozitave po i afrohet në mënyrë të qëndrueshme nivelit të tyre para krizës, ndërkohë që vazhdon gjallërimi i kredisë në lekë, nga njëri muaj në tjetrin", - tha ai.
Gjatë kësaj periudhe të frikësuar edhe nga falimentimi i disa bankave në perëndim depozitues të ndryshëm iu drejtuan sporteleve të bankave në vend për të tërhequr paratë e tyre me mendimin se ato do të ishin më të sigurta në shtëpi. Por, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, tre mujori i dytë i këtij viti është karakterizuar nga një rritje e depozitave duke iu afruar treguesve të mëparshëm.
Durrës, tatimet çojnë për falimentim 30 biznese
DURRËS- Drejtoritë Rajonale të Tatimeve vazhdojnë të dërgojnë biznese në gjykatë duke kërkuar fillimin e procedurave të falimentimit për to. Gjatë ditës së djeshme, Drejtoria Rajonale e Durrësit dërgoi në gjykatë plot 30 biznese të mëdha për të cilat është gjykuar se nuk kanë mundësi financiare që të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit.
Krahas kësaj, gjatë këtij sezoni, kjo drejtori e ka fokusuar punën në pajisjen e subjekteve me kasa fiskale si dhe në sensibilizimin e biznesit të vogël për pagesën e sigurimeve shoqërore të punonjësve të tyre.
Sipas të dhënave deri më tani në rajonin e Durrësit janë pajisur me kasa regjistruese vetëm 10 për qind e subjekteve. Janë afro 15 mije subjekte private që ushtrojnë aktivitet në këtë rajon, ndërsa 2200 e tyre i përkasin biznesit të madh pjesë e së cilit ishin edhe kompanitë e dërguara në gjykatë.
Procesi i dërgimit të kompanive tregtare në gjykatë duke kërkuar shpalljen e falimentimit ka filluar në të gjithë Drejtoritë Rajonale të vendit, ku herë pas here bëhen publike lista me emra subjektesh.