E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, përplasje mes Ramës dhe kundërshtarëve

14/10/2009  Kryesia e PS-së vendos bojkotin e zgjedhjeve të 15 nëntorit

Forumi vendos ngritjen grupeve të punës për programin dhe ndryshimet në statut

Partia Socialiste nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve të 15 nëntorit. Ky ishte vendimi i marrë dje nga kryesia e kësaj partie. Por edhe pse tashmë një vendim i marrë nga një forum i tillë, sërish përplasjet mes radhëve të anëtarëve të kryesisë kanë qenë të pranishme dhe gjatë mbledhjes së djeshme, kjo për vetë faktin se bojkoti ndaj zgjedhjeve të pjesshme vendore nuk ishte një vendim unanim i këtij forumi. Përfaqësuesit e mendimit ndryshe, anëtarë të kryesisë socialiste, kanë kundërshtuar një vendim të tillë, duke insistuar në domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së PS-së në këto zgjedhje. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se në fillim të mbledhjes Rama ka dhënë qëndrimin e tij për të bojkotuar zgjedhjet e 15 nëntorit. Ndërkohë deputeti Ben Blushi, duke u shprehur kundër bojkotit, ka theksuar se PS-ja duhet të hyjë në zgjedhjet e pjesshme, pasi kushtet, që janë tashmë publike, kanë lidhje me të shkuarën. Sipas tij, tashmë PS-ja duhet të shprehet për të ardhmen. Në vlerësimin e tij mospjesëmarrja në zgjedhje është një demotivim për anëtarët dhe mbështetësit e PS-ja. Por përballë qëndrimit kundër, kreu socialist Rama ka preferuar të mos japë asnjë argument, me përjashtim të ndërhyrjeve të mbështetësve të tij. Po gjatë mbledhjes së djeshme u ngrit dhe grupi i punës për programin e PS-së, që do të drejtohet nga vetë Rama, si dhe grupi për ndryshimet në statut, i cili do të kryesohet nga kryetari i AK-së Gramoz Ruçi. Në grupin e punës për programin ishin përzgjedhur të bënin pjesë dhe anëtarët e kryesisë Arben Malaj e Sajmira Pino, të cilët sikundër dihet janë pjesë e lëvizjes për mendimin ndryshe në PS. Por si Malaj, ashtu dhe Pino kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij grupi pune. Megjithatë, të dy grupet e punës do të punojnë paralelisht përgjatë kësaj periudhe deri në thirrjen e kongresit të PS-së. Vendimet e marra dje nga kryesia e PS-së do të administrohen gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e cila do të zhvillohet të shtunën e kësaj jave. Kështu, do të jetë ky forum që pas diskutimit të këtyre vendimeve të përcjella nga kryesia do të thotë fjalën e fundit mbi to. Ndërkohë po dje është vendosur që mbledhja e ardhshme e kryesisë të jetë në janarin e ardhshëm, një muaj më pas Asambleja dhe Kongresi në prill të 2010, me qëllim miratimin e të gjithë axhendës politike të kësaj partie.

Vendimi

Kryesia e PS-së vendosi që, sikundër është tashmë në traditën e PS-së, të ngihen dhe të funksionojnë komisionet në linjë të njëjtë me ato parlamentare. Do të jetë një grup pune që do të administrojë kandidaturat e propozuara nga vetë ligjvënësit socialiste për përkatësinë e tyre në këto komisione, sipas preferencave, proces ky që pritet të mbyllet në një afat të shkurtër kohor. Grupet e punës

Programi

Edi Rama

Rexhep Meidani

Sërvet Pëllumbi

Shkëlqim Cani

Valentina Leskaj

Olta Xhaçka

Vasilika Hysi

Ermelinda Meksi

Besnik Baraj

Ervin Bushati

Ilir Beqaj

Eglantina Gjermeni

Pandeli Majko

Statuti

Gramoz Ruçi

Namik Dokle

Genci Gjonçaj

Erion Braçe

Damian Gjiknuri

Sajmir Tahiri

Arben Ahmetaj

Maqo Lakrori

Fatmir Xhafaj

Musa Ulqini

Bashkim Fino

Blendi Klosi

Edi Rama

“Vendimi është krejt i natyrshëm, në një rrugë e cila është rruga e domosdoshmërisë jetike të të gjithë popullit opozitar për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën e vet, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën si një liri dhe e drejtë që nuk mund të tjetërsohet, nuk mund të shkelet, nuk mund të transferohet dhe nuk mund të deformohet. Dhe në këtë rrugë ne jemi shumë të vendosur dhe ky është një proces i cili ka të bëjë me fatet e një demokracie të kapur pengë dhe të futur në krizë në të gjitha funksionet jetike të saj dhe që nuk ka të bëjë me asnjë lloj taktike apo çfarëdo qoftë tjetër, që lidh interesat e PS-së. Këto janë interesat e një vendi të tërë dhe e një populli të tërë, që në vitin 2009 nuk mund të merret peng në mes të Evropës nga një pushtet familjar i ricikluar përmes grabitjes së votës.”

Ben Blushi

“Është një vendim i shpallur në mënyrë personale nga Edi Rama, sipas të cilit nuk duhet të futemi në zgjedhjet e pjesshme të datës 15 nëntor në 5 njësi, disa prej të cilave komuna, një bashki dhe një minibashki në Tiranë. Sigurisht që një vendim personal edhe ky si bojkoti, një vendim demotivues, i cili fatkeqësisht u thotë të gjithë socialistëve në të gjithë Shqipërinë se ne nuk fitojmë dot dhe kjo është arsyeja pse nuk hyjmë në zgjedhjet. Shumë anëtarë kryesie, përfshirë edhe mua, sigurisht që ishim kundër. Kërkuam që të hynim në zgjedhjet e datës 15 nëntor, sepse është një mundësi për të treguar se socialistët dinë të mbrojnë votat, ishin një test politik për PS-në dhe jo për qeverinë, pasi socialistët dinë të fitojnë dhe janë mësuar të fitojnë edhe në kushte të vështira. PS-ja nuk demotivohet, pavarësisht nga situata politike.”

Harasani: PS në garë përballë Metës e Berishës

“Të vjen keq që mbledhja e kryesisë zhvillohet 24 orë me vonesë”

Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste kundërshton bojkotin e zgjedhjeve të 15 nëntorit. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje e gjykojnë të gabuar propozimin e kreut socialist Edi Rama, duke i vlerësuar këto zgjedhje si një shans që nuk duhet humbur në një beteje ndaj koalicionit “Berisha-Meta”. Deputeti socialist Andis Harasani, përfaqësues i mendimit ndryshe, gjatë një prononcimi për shtyp vlerësoi se “është koha të përballemi me këtë koalicion të brishtë”. Madje, Harasani shprehu keqardhje për kohën kur kreu socialist ka zgjedhur të këshillohet me anëtarët e kryesisë. E kjo për vetë faktin se tashmë afatet për të regjistruar kandidatët në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit kanë përfunduar. “Të vjen keq që mbledhja e kryesisë zhvillohet 24 orë me vonesë nga mbyllja e orarit zyrtar të regjistrimit të kandidatëve, megjithatë nuk besoj se është ndonjë problem i madh, sepse ne të njëjtën gjë bëmë edhe me zgjedhjet e qershorit. Shpresoj të mos jetë ogur i keq ky. Në mbledhjen e kryesisë personalisht do të kërkoj që PS-ja të marrë pjesë në këto zgjedhje, pasi është mundësia më e mirë, mundësia më e artë për PS-në që të vërtetojë të gjitha ato akuza që ne i kemi ngritur kësaj qeverie, këtij koalicioni të brishtë”, - vuri në dukje Harasani. Njëkohësisht, duke i mëshuar me forcë një çështjeje të tillë, deputeti socialist shtoi se “ne kemi mundësi që më datën 15 nëntor të fitojmë bindshëm, dhe komisionerët tanë së bashku me deputetët, për të vërtetuar të gjitha manipulimet që mund të ketë ndër mend të bëjë qeveria ose për të fituar thellë. Dhe një fitore e thellë në këto zgjedhje do të vërtetonte në mënyrë bindëse të gjitha akuzat që ne kemi ngritur për qeverinë ‘Berisha-Meta’”. Ndërkohë Harasani deklaroi se do të nënshkruajë kërkesën e socialistëve drejtuar Parlamentit për hetimin e zgjedhjeve. Por sipas tij më e thjeshtë do të ishte pjesëmarrja në Kuvend. “Marrja e komisionit hetimor mund të bëhet shumë thjesht, mjafton të hyjmë në Parlament. Megjithatë, në qoftë se zgjidhet rruga nëpërmjet firmave, unë personalisht do të jem nga të parët”, - theksoi ai.

Qëndrimi

Përfaqësuesit e mendimit ndryshe brenda radhëve të Partisë Socialiste insistojnë në qëndrimin e tyre për kthimin e grupit parlamentar të kësaj partie në sallën e Kuvendit. Në gjykimin dhe vlerësimin e tyre do të ishte më e thjeshtë realizimi i kushteve që kupola rozë i ka vënë mazhorancës qeverisëse dhe Parlamentit, kushte në të cilat PS-ja ka bazuar bojkotin e saj ndaj Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›