E Diel, 1 Nëntor 2026

Sula: Mos u hiqni makinat prokurorëve e gjyqtarëve

Debate në komisionin e ligjeve në lidhje me heqjen e makinave për organet kushtetuese


TIRANË-Projektligji për heqjen e makinave të deputetëve dhe funksionarëve të lartë të shtetit u diskutua dje edhe në Komisionin e Ligjeve. Diskutimi i anëtarëve u përqendrua tek kategoritë të cilat përfitojnë shërbimin me makina zyrtare dhe procedura e shitjes së automjeteve.


Deputeti Dashnor Sula propozoi shtimin në listën e zyrtarëve që përfitojnë makinë edhe të prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe gjyqtarëve të apelit për Krimet e Rënda për vetë specifikën e detyrës së tyre. Sula kundërshtoi edhe propozimin që parashikon heqjen e makinave për gjyqtarët e Krimeve të Rënda dhe atyre të apelit të Krimeve të Rënda.


Sipas propozimit të qeverisë këta të fundit i përfitojnë këto shërbime në bazë të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me statusin e tyre.
"Unë them që jo vetëm që nuk duhet t'i hiqen gjyqtarit të Krimeve të Rënda dhe të apelit të Krimeve të Renda, por se në këtë listë duhen shtuar edhe prokurori i Krimeve të Rënda dhe prokurori i gjykatës së apelit të Krimeve të Rënda. Me këtë ne iu themi këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve që ti duhet ta dorëzosh makinën dhe shko bli një makinë dhe merri edhe një taksi truprojës dhe shko në shpi.


Kjo punë nuk shkon kështu", - tha ai. Propozimi i Sulës nuk u mor parasysh dhe drafti u miratua ashtu siç kishte ardhur nga qeveria. Heqja e makinave për një serë drejtuesish të prokurorisë është cilësuar si e qëllimshme nga një pjesë e këtyre të fundit sipas të cilëve kemi të bëjmë me një diskriminim për shkak të konfliktit që ekzekutivi ka me Prokurorinë e Përgjithshme.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›