E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti, si lindi debati Topi-Topalli

TIRANË Debati mes presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Jozefina Topallit e ka zanafillën te një deklaratë e kryetares së Kuvendit, e cila pak kohë më parë, gjatë një interviste për radion “Europa e Lire” e kishte njësuar politikën e ndjekur nga Topi me atë të Edi Ramës. Gjithçka më pas mori përmasa të tjera kur Topalli (aspirante për postin e Presidentit të ardhshëm) në një konferencë për shtyp, e pakënaqur nga kthimi i ligjit për plehrat, e cilësoi Bamir Topin si celulë antieuropiane. Një deklaratë e tillë bëri që presidenti i Republikës, Bamir Topi, t’i përcillte një mesazh nga qyteti i Shkodrës, ku ndër të tjera, ai u shpreh se Topalli nuk e njihte komunikimin e etikës dhe se ajo duhet të fliste shqip. Kaq ka mjaftuar që debati të politizohej më tej e nga ku Topalli të deklaronte përmes një njoftimi për shtyp se gjuha që ajo përdor është si ajo e Fishtës apo Migjenit, duke e përcjellë konfliktin në përmasa krejt të tjera. “Flas me krenari dhe me vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!”, - tha Topalli dy ditë më parë, duke sjellë edhe një tjetër reagim nga Topi. “Po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do të ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës...”, - tha ndër të tjera Presidenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›